Deputetët e Kuvendit kanë vijuar turet në disa gjykata për të parë nga afër problemet e drejtësisë.
Këtë të hënë, deputeti socialist, Bledi Çomo ka kryer inspektim në Gjykatën e Posaçme, lidhur me çështjet e sigurisë.
Çomo, gjatë inspektimit ishte i shoqëruar nga gjyqtari Erion Bani.
Në mbledhjen e gjyqtarëve pak ditë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Bani kërkoi inspektime në ambientet e gjykatave.
Ai deklaroi se duhen evidentuar të gjitha problematikat deri tek pyetja e gjyqtarëve dhe stafit të gjykatave për çdo shqetësim apo problematikë që mund të hasin gjatë ushtrimit të funksioneve.
Deputetët e Kuvendit kanë nisur një tur monitorues në gjykatat e vendit, pas thirrjeve shqetësueses të Këshillit të Lartë Gjyqësor për sigurinë në këto institucione. Më 29 janar, një pjesë e deputetëve ishin në Gjykatën e Korçës, ku njoftuan se në përfundim do të hartojnë një raport për ta diskutuar në rrugë parlamentare me palët e interesuara.
Turi i deputetëve në Gjykata ka nisur pas një kërkese që bëri KLGJ fundvitin e shkuar për marrjen e masave për forcimin e sigurisë. Ata do të vizitojnë të gjitha gjykatat kryesore në vend.
Komente







