Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja, ka reaguar Kryetari i Dhomës së Avokatisë në Korçë, Nevzat Tarelli. Në një deklaratë për mediat, Tarelli dënoi me forcë aktin e rëndë të ndodhur në vendin e punës së gjyqtarit dhe shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjarët, miqtë dhe kolegët e të ndjerit.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë bëri të ditur se, në bashkërendim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë, është marrë vendimi për bojkot të proceseve gjyqësore në datat 9 dhe 10 tetor. Ky bojkot, sipas tij, është shenjë solidariteti me familjen e gjyqtarit të ndjerë, por edhe një formë proteste për mungesën e sigurisë në gjykatat shqiptare.
Ai theksoi se ngjarje të tilla janë pasojë e një klime të tensionuar ndaj sistemit të drejtësisë dhe e zvarritjes së gjatë të proceseve, që kanë ndikuar në perceptimin negativ të publikut. Tarelli nënvizoi se siguria e gjyqtarëve nuk duhet të kufizohet vetëm brenda institucioneve, por duhet të shtrihet edhe në jetën e tyre publike, përmes rritjes së respektit dhe autoritetit që shoqëria duhet të ketë ndaj drejtësisë.
“Ngjarja është shokuese për të gjithë, për më tepër se ka ndodhur brenda godinës së gjykatës dhe gjatë dhënies së një vendimi gjyqësor. Por tashmë jemi para këtij fakti. Ajo që ne si dhomë lokale, sot ka një vendim nga Komiteti Drejtues, ku është marrë një vendim për bojkotim të proceseve gjyqësore në datat 9-10, për të shprehur nga njëra anë solidarizimin me dhimbjen dhe nga ana tjetër për të kërkuar sensibilizim të të gjithë institucioneve shtetërore, që merren drejtpërsëdrejti me drejtësinë, KLP, KLGJ, por edhe gjithë shtetit në tërësi për të rritur ndjeshëm masat e sigurisë në gjykatat shqiptare në raport jo vetëm me gjyqtarët por me të gjithë aktorët e drejtësisë, prokurorë, avokatë, ekspertë e psikologë që bëhen subjekte të dhunës verbale e fizike. Ka pasur një ecuri me klimën në tërësi gjatë gjyqësorit, e cila është për shkak të dekradimit të vetë gjyqësorit dhe sulmeve të merituara apo të pamerituara përfshirë aktorët shtetërore dhe të gjithë shoqërisë shqiptare e kanë vendosur pozitën e gjyqtarit në një pozitë denigruese për një kohë të gjatë.”, tha ai.
Sipas Tarellit vetëm përmes profesionalizmit, etikës dhe pavarësisë së gjyqësorit mund të rikthehet besimi në drejtësi dhe të garantohet siguria e atyre që e përfaqësojnë atë çdo ditë.
“Reforma në drejtësi solli një zvarritje të gjatë të proceseve gjyqësore, shpeshherë me vite dhe kjo natyrisht ka ndikuar edhe në perceptimin e publikut dhe në acarimin dhe lodhjen e publikut në marrjen e drejtësisë. Ky rast duhet të shërbejë për alarm qoftë për të plotësuar vakancat në të gjithë institucionet dhe t’i jepet zgjidhje stokut të dosjeve. Nuk di rastin, detajet e arsyen por ajo që është diskutuar se ka tejzgjatje të proceseve sjell midis të tjerave edhe ngjarje të tilla. Unë uroj sinqerisht që kjo ngjarje të shërbejë si pikë kthese për të gjirhë aktorët dhe ata që kanë në dorë të rregullojnë sistemin e drejtësisë. Duhet të vërë në alarm të gjithë institucionet por dhe të sensibilizohet edhe shoqëria. Nuk janë vrasjet që prodhojnë drejtësi, këto vetëm padrejtësi prodhojnë. Duhet rritur përgjegjësia e gjykatave, prokurorëve dhe avokatëve por të merren masa për organizimin e punës që drejtësia të jepet në kohë se një drejtësi pas 30 vitesh nuk ka kujt i duhet më. Kjo ngjarje duhet të sjellë ndryshim thelbësor në konceptimin e drejtësisë dhe marrjen e masave organizative në mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë. Gjyqtari duhet të jetë i respektuar. Duhet të rrisim e autoritetit të tij, dhe kjo bëhet me profesionalizëm dhe etikën e tij dhe me krijimin e kushteve të punës së tij. Kjo është ajo që duhet bërë. Mund të lëmë 10 policë në gjykatë dhe përsëri gjyqtarët e prokurorët të jenë të pasigurt.”, shtoi ai.
Komente









