Prokuroria e Mitrovicës do të  kërkoj një muaj paraburgim për dy policët e dyshuar për keqpërdorim të provave për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç. Kërkesa për paraburgim pritet që dorëzohet në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Këtë e ka konfirmuar prokurori Njazi Rexha. Mediat kosovare raportojnë se policët e arrestuar janë Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviç. Njëri nga këta dy polic në ditën e vrasjes së Ivanoviçit ka marrë një gëzhojë nga vendi i ngjarës. Lajmin për arrestimet e dy efektivëve të Stacionit policor në Mitrovicën Veriore e bëri të ditur Inspektorati Policor i Kosovës.

Sipas komunikatës së Inspektoratit, këta zyrtarë u arrestuan nën dyshimin për manipulim me prova. Inspektorati njoftoi se përveç arrestimeve, ka bastisur dy lokacione në Mitrovicën Veriore me urdhër të prokurorit dhe gjykatës. 

Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar. Ai u varros një ditë më pas në Beograd. Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.

s.k/Shqiptarja.com