Pistoleta që dyshohet se i përket Klodian Rashës, të vrarë mëngjesin e 8 dhjetorit 2020, nga punonjësi i policisë, Nevaldo Hajdaraj, mësohet se është një armë zjarri sportive që shitet në tregun shqiptar,kundrejt shumës prej 120 mijë lekë të vjetra.

“Shqiptarja.com” mëson se arma e gjetur në pellgun e ujit, është një pistoletë tip “Zoraki” që klasifikohet në armët e zjarrit sportive mirëpo se në çfarë rrethana doli kjo armë zjarri pas vrasjes së Klodjan Rashës, hetuesit vijojnë punën për të zbuluar shkaqet dhe autorësinë se kujt i përket kjo armë.

Arma tip “Zoraki”, kishte një fishek në folenë e qitjes dhe dy fishekë në karikator. Nisur nga kjo situatë, grupi hetimor ka kërkuar kryerjen ekspertimit të ADN-së, duke marrë profile pështyme nga viktima Klodjan Rashës, efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj dhe nga punonjësi i policisë, që arriti të gjejë armën, polici me inicialet F.A.

Qëllimi është krahasimi i ADN-së së këtyre personave me gjurmët e profileve të yndyrës që janë gjetur në armën tip “Zoraki” të sekuestruar. “…kjo është e vetmja analizë që mund të na japë një tablo të qartë, për të mësuar se kujt i përket arma. Nëse i përket viktimës atëherë bindemi se Klodjani e ka pasur armën dhe më pas e ka hedhur në ujë…nëse del që profili i ADN-së nuk jep gjurmët e Klodjan Rashës, atëherë do jemi përballë një dileme shumë të fortë dhe dyshimi se arma është hedhur vetë nga policia disa minuta pas ngjarjes…”-tha një anëtar pranë grupit të hetimit.

Klodian Rasha, 25-vjeçari i vrarë në orët e mëngjesit të 8 dhjetorit, është qëlluar nga një distancë prej 5 metrash largësi nga punonjësi i policisë, Nevaldo Hajdaraj. Pamjet filmike kryesore të sekuestruara nga prokuroria e Tiranës, e tregojnë qartë veprimin kriminal të policit të “Shqiponjave”, ku para kamerës së një servisi në Laprakë, duket se është pozicionuar për të qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të personit që ai po ndiqte, Klodjan Rasha.

Në filmim, sipas grupit të hetimit, dallohet se viktima është duke u larguar me vrap. Ndërkohë nga një distancë shumë e afërt prej 5 metrash, polici i pozicionuar i shtrirë në trotuar ka hapur dy herë zjarr. Momenti i rrëzimit në tokë të Klodjan Rashës, duket qartë thonë prokurorët dhe se kjo video, shërbeu që ndaj Hajdaraj, të ndryshohet akuza nga “Vrasja në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme” në “Vrasja me dashje”. Ndryshe çfarë deklaroi kolegu i efektivit Nevaldo Hajdaraj se kishte parë policin dhe personin që po e ndiqte të konfliktoheshin fizikisht, përpara vrasjes, në fakt kamera tregon se nuk ka pasur asnjë konflikt fizik.

Model i llojit te armes se gjetur, tip Zoraki mund te blihet lehtesisht ne dyqan

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:05
Vrasja e Klodjan Rashës ndodhi në 3 minuta, bisedat në radio të policit Hajdaraj për ngjarjen e rëndë

1608133636_rasha.jpg

Efektivi Nevaldo Hajdaraj

Punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj, kishte vetëm një muaj që i ishte bashkuar skuadrës “Shqiponja” në policinë e Tiranës. Madje ditën e vrasjes në datën 8 dhjetor 2020, Hajdaraj, mbushte plot një muaj në transferimin në këtë detyrë. Policia dhe prokuroria e Tiranës gjatë kryerjes së hetimeve për ngjarjen kanë krijuar dhe një informacion biografik mbi efektivin e policisë, që kreu vrasjen e Klodjan Rashës. Sipas dokumenteve që siguron “Shqiptarja.com” rezulton se në datën 9 nëntor 2020 me vendimin nr. 8988 të Drejtorit të Policisë Vendore, Rebani Jaupaj është urdhëruar transferimi dhe emërimi me kërkesën e vetë Nevaldo Hajdaraj, në detyrën e oficerit të Patrullës së Përgjithshme, motorist, pranë forcës së posaçme ”Shqiponja”. Mirëpo fiks një muaj nga emërimi, Hajdaraj implikohet në një ngjarje të rëndë duke vrarë me armë zjarri, 25-vjeçarin Klodian Rasha. Sipas dokumentacionit që sigurojmë e gjithë ngjarja ka ndodhur në vetëm 3 minuta. Dhe kjo është vërtetuar dhe nga sekuestrimi i komunikimeve të policëve me radio me sallën e komandimit në polici.

Rezulton se:

Në orë 01:09 minuta, shigjeta nr. 3 (Nevaldo Hajdaraj), ka raportuar me radio se i është larguar një person, po e ndjekin dhe kanë njoftuar shërbimet e tjera për ndihmë.

Në orën 01:12, sërish Shigjeta nr. 3, Nevaldo Hajdaraj, raporton se kërkon urgjent një ambulancë. Në këtë moment është njoftuar 112.

Në orën 01:13, Shigjeta nr.3, raporton se ka shkuar ambulanca.

Në orën 01:14 minuta, Shigjeta nr.3 raporton se ndodhen përballë kupolës në një rrugicë, është një person i plagosur me armë zjarri, prandaj kanë kërkuar ambulancën, për momentin nuk japim sqarime të mëtejshme.

Në orën 01:14 minuta, sërish Shigjeta nr.3 njofton se duke ndjekur një person, ka përdorur armën e zjarrit duke e plagosur personin e paidentifikuar, i cili u dërgua me ambulancë në spital në gjendje të rëndë për ndihmë mjekësore.

Në orën 01:19 minuta një patrullë shërbimi ka njoftuar se punonjësi i policisë të shigjetave Nevaldo Hajdaraj, i ka bërë thirrje një personi, i cili është larguar me vrap, në përpjekje për të ndaluar ka përdorur armën e zjarrit të shërbimit, duke qëlluar drejt tij, duke e plagosur. Personi është transportuar në spital me ambulancë.

Në orën 01:23 minuta, shërbimet e policisë të komisariatit nr.3 Tiranë, njoftojnë se shërbimet mjekësore kanë njoftuar se personi që u transportuar me ambulancë në spital, ka ndërruar jetë.

Ora 16:51
Zbardhet ekspertiza/ Klodjan Rasha ka vetëm një plumb në brinjë nga ana e djathtë që ndaloi në zemër! Dëmtimet në kokë janë bërë nga mjekët

1608049610_1607683697hajdarajrasha.jpg

Efektivi Nevaldo Hajdaraj dhe viktima Klodjan Rasha

Zbardhet ekskluzivisht akti i ekspertimit mjeko-ligjor që mjekët kryen në trupin e 25-vjeçarit Klodjan Rasha. Sipas dokumentit të siguruar nga “Shqiptarja.com” thuhet se Klodjan Rasha, mbante në trup një xhup, me ngjyrë të gjelbër, me ndotje me njolla si ato të gjakut. Më tej tregohet se Klodjani në anën e djathtë të pjesës së ballit “…mbi vetullën e djathtë si dhe në pjesën e kurrizit të hundës, konstatohen gërvishtje. Nga këqyrja ka rezultuar se në trupin e viktimës Klodjan Rasha, në anën e djathtë të shpinës, në një lartësi prej 119 centimetra nga thembra e djathtë, është evidentuar një plagë, në dukje e shkaktuar nga armë zjarri, me buzë të përveshura nga brenda, plagë hyrëse. Nga këqyrja ka rezultuar se në pjesë e muskujve në anën e majtë të zonës së përparme të toraksit, është konstatuar fiksuar, marrë dhe sekuestruar një predhë armë zjarri. Predha ka dëmtime në njërën anë të majës së saj…”-thuhet në aktin e ekspertimit.

Më tej mësohet se në trupin e Klodjan Rashës është konstatuar dhe një brinjë e thyer, si pasojë e goditjes nga plumbi. Në aktin e ekspertimit nuk jepet asnjë e dhënë nëse Klodjan Rasha ka pasur plagë me armë në kokë. Sipas burimeve, e çara në kokë që më pas është qepur nga mjekët e spitalit mjeko-ligjor, është kryer nga vetë doktorët me qëllim marrjen e një kampioni truri, për të nxjerrë me ekzaktësisht shkakun biologjik të vdekjes së Klodjan Rashës.