MILOT- Vrasja e dyfishtë, e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës pranë urës së vjetër të Milotit është ende pa autor, ndërsa policia ka shoqëruar më shumë se 10 persona. Grupi hetimor i formuar për zbardhjen e ngjarjes, bëri të ditur se dyshohet që “shënjestra” e atentatit ka qenë 28-vjeçari Klodian Ndreca i cili, mbeti i vdekur nga breshëria e plumbave së bashku me 25-vjeçarin Taulant Prendi, ndërsa u plagos rëndë vëllai i këtij të fundit Aurel Prendi.

Fill pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 21:45  pranë urës së vjetër të Milotit kur dy persona të panjohur derdhën rreth 50 plumba në drejtim të automjetit tip-Golf 5 duke lënë dy të vdekur dhe një të plagosur, policia shoqëroi mbi 10 persona, banorë të zonës, por edhe familjarë të viktimave. të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen. Nga hetimet e kryera, burime nga policia thanë për “Shqiptarja.com” , se kanë qenë dy persona të fshehur tek këmbët e urës së vjetër ,për të pritur automjetin që drejtohej nga Klodian Ndreca. Në momentin që automjeti i është afruar urës, autorët kanë dalë para, duke zbrazur breshëri automatiku.

Në vendngjarje janë gjetur rreth 50 gëzhoja të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Autorët kanë shfrytëzuar errësirën për t’u larguar në këmbë përgjatë lumit Mat. Ata kanë dalë në anën tjetër të rrugës ku dyshohet se më pas janë larguar me një automjet. Ndërkohë, policia e njoftuar për atentatin mbërriti në vendngjarje ku konstatoi dy të vdekur dhe një të plagosur. Policia nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes si dhe identifikimin e autorëve. Nga hetimet e kryera, rezulton se mjeti ishte në pronësi të Klodian Ndrecës, i cili ia kishte blerë atë dy muaj më parë, djalit të dajës së tij me iniciale M.P.

Ky i fundit ishte person me precedent penal, ndaj dhe policia nuk e ka përjashtuar si “shënjestër”  të mundshme të atentatorëve.  Megjithatë, grupi hetimor i ka mëshuar viktimës Klodian Ndreca si objektiv i sulmit. Sipas policisë, Ndreca ishte kthyer nga Italia pak kohë më parë ku ka qenë i proceduar nga policia për vjedhje dhe pastrim parash. Burime nga policia thanë gjithashtu se, Ndreca ka qenë i përfshirë dhe në një sherr të ndodhur 10 ditë më parë në një karburant në afërsi të Milotit, ku është dhunuar një i ri nga Rubiku. Ai u dërgua në spital për shkak të plagëve të marra, ndërkohë që policia dyshon se autor i kësaj ngjarjeje ishte Klodian Ndreca.

Policia tha se pritet të merret në pyetje i riu i dhunuar 10 ditë më parë, me qëllim zbardhjen e dyshimeve për përfshirjen e të afërmve të tij në atentatin e së mërkurës në Milot. Implikimet e Ndrecës në disa ngjarje, kanë detyruar policinë të ngrenë dyshime të forta se ai ishte objektivi i autorëve, duke përjashtuar dy vëllezërit, njëri prej të cilëve humbi jetën. Nga ana tjetër, policia tha se po heton edhe për një konflikt pronësie në këtë fshat, sidomos për shkak të një guroreje që ndodhet në Pllanë, por nga grupi hetimor nuk janë bërë me dije detaje të mëtejshme.

Sipas policisë, Ndreca dhe vëllezërit Prendi ishin kushërinj dhe kishin shtëpine 100 metra larg njeri-tjetrit. Dy netë më parë, ata kanë qenë duke luajtur bilardo në Milot dhe kur po ktheheshin në shtëpi, i kanë zënë pritë, pak metra larg fshatit Pllanë të Lezhës, ku banonin në vendin e quajtur ura e vjetër e Milotit. Pas kësaj ngjarjeje, në Pllanë kanë mbërritur forca të shumta policie, si nga komisariatet e Qarkut të Lezhës, ashtu edhe nga FNSH-ja e Shkodrës.

Gjithashtu, u ngritën postblloqe të shumta policie në të gjitha rrugët nacionale, pasi dyshohet se autorët e krimit u larguan me automjet. Deri në orët e mesnatës, policia kishte shoqëruar 15 persona, por nuk ka pasur informacion zyrtar për ndonjë të arrestuar konkret. Ndërkohë që policia po vazhdon hetimet për identifikimin dhe kapjen e dy autorëve të kësaj ngjarjeje si dhe bashkëpunëtorët e mundshëm të tyre.

Shkrimi u publikua sot (21.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)