Vrasja e Liridona Ademajt/ Avokati i familjes së 30-vjeçares flet për Report Tv: Ju them me përgjegjësi të plotë, ajo u vra nga bashkëshorti

Më 15 janar të këtij viti Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi përfundimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës për 4 personat e përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt në Kosovë, mes tyre bashkëshorti i 30-vjeçares, Naim Murseli.

Avokati i familjes së 30-vjeçares së ndjerë, Leotrim Syla, ishte i ftuar në “Studio Live” me Arbër Hitajn në Report Tv, ku tregoi akuzat që rëndojnë mbi 4 të pandehurit dhe vazhdimësinë e procesit gjyqësor.

“Prokuroria ka përfunduar hetimet lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademaj dhe ka ngritur aktakuzën ndaj tre bashkëkryesve, bashkë me personin e katërt i cili ka marrë pjesë vetëm në shitjen e armës më të cilën është kryer vrasja. Ndërsa 3 të parët akuzohen për vrasje të rëndë, personi i katërt është i akuzuar vetëm për shitje të armës. Dy të akuzuar të tjerë, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla kanë edhe nga një akuzë tjetër që u ngarkohet. Granit Plavës për posedim të një arme dhe Kushtrim Kokalla përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, ka mbi supe edhe veprën penala të mos lajmërimit të veprës penale”,-tha Syla.

“Në seancën e radhës për shkak se do të jetë shqyrtimi fillestar sipas Kodit të Procedurës Penale, mund të mbyllet në rast se të njëjtët pranojnë fajësinë, kurse në rast se të njëjtit nuk pranojnë fajësinë kalojmë në kundërshtimin e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, që u jep të drejtë që ta dërgojnë të njëjtën në gjykatë për konfirmim. Pra gjykata duhet ta kalojë këtë stad para se të kalojë në gjykim”,-shtoi ai.

Avokati Syla theksoi se në bazë të aktakuzës dhe provave të siguruara deri më tani, rezulton se Liridona Ademaj është vrarë nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

“Mund t’iu them me përgjegjësi të plotë, në bazë të asaj që thotë aktakuza: bashkëshorti nuk ishte vetëm porositësi por ishte edhe bashkëkryesi, pra mori pjesë edhe fizikisht në kryerjen e veprës penale”,- nënvizoi avokati i familjes së 30-vjeçares së ndjerë.

“Për prokurorinë motivet ishin edhe pasurore, probleme familjare dhe çështje personale të vetë Naimit. Motivet pasurore prokuroria i ka lidhur me atë se Naimi ka pasur probleme financiare dhe ka paguar një polic të sigurimit për Liridonën e ndjerë, që pas vrasjes së saj të përfitonte në shtetin e Suedisë. Te motivet e tjera ka renditur problemet et ij që kishte familjare me Liridonën, sipas deklaratës së Naimit, dhe motive të tjera të jashtme, ashtu siç janë paraqitur në media, në aktakuzë nuk ka asnjë”,- shtoi avokati Syla.

Sipas tij, në dosje flitet edhe për problemet bashkëshortore që kishin Liridona Murseli me Naim Murselin

“Diçka e tillë në aktakuzë përmendet dhe pse shkarazi, për shkak se nuk lidhet drejtpërdrejtë me aktakizën dhe me vrasjen por që ka qenë njëri nga problemet që ka pasur Liridona me Naimin, gjatë jetës së tyre bashkëshortore që sipas deklaratës së Naim Murselit, vrehet në një farë mënyrë është shtyrë nga problem familjar që ka pasur me Liridonën si pasojë e atij rasti”,- u shpreh Syla.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ngjarja u raportua si vrasje si pasojë e grabitjes, por hetimet morën një rrjedhë tjetër, vrasësi ishte pikërisht bashkëshorti i saj Naim Murseli.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor 2023 kur edhe Liridona  u përcoll në banesën e fundit, u bë arrestimi i Naim Murselit dhe Granit Plavës. Ky i fundit dyshohet se ekzekutoi Ademajn me porosi të Naim Murselit, i cili sipas tij i kishte premtuar 30 mijë euro nëse kryente vrasjen, një pjesë prej të cilave ia kishte dhënë.

Arrestimi i tretë u konfirmua vetëm pak orë më vonë, pasi iu vunë prangat Kushtrim Kokallës, pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ndërsa po ashtu u arrestua edhe personi i katërt Tomë Dodaj i cili dyshohet se siguroi armën për kryerjen e vrasjes.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Dita Botërore e Picës, 'Tgcom24' interviston picajolin shqiptar në Brescia, Endrit Rustemin! 34-vjeçari: Majaja dhe mielli shpëtimi im

Itali/ Dita Botërore e Picës, 'Tgcom24' interviston picajolin shqiptar në Brescia, Endrit Rustemin! 34-vjeçari: Majaja dhe mielli shpëtimi im