TIRANË - Edhe sot, 23 ditë pas vrasjes së Martin Canit, në shtëpinë e prindërve të tij, nuk ka shkuar ende askush nga familja e autorit të dyshuar dhe as nuk i kanë kontaktuar përmes telefonit, të paktën për t’i kërkuar ndjesë në emër të fëmijës së tyre të mitur apo për t’iu bashkuar dhimbjes së tyre. Në dëshminë e parë para hetuesve, Ëngjëll Cani, babai i 14-vjeçarit të vrarë, u tha oficerëve se nuk kanë pasur asnjë takim me prindërit e autorit të dyshuar, shok shkolle me Martinin e tyre tek “Fan Noli”.

Ëngjëll Cani thotë se shkolla nuk i kishte vënë në dijeni se fëmijët ishin zënë në edhe ditë para ngjarjes tragjike, çka sipas tij mund të kishte parandaluar sherrin që i mori jetën të birit vetëm 200 metra larg shkollës më 18 nëntor.

Babai i Martin Canit thotë se vetëm ditën e vrasjes shkolla telefonoi gruan e tij teksa ajo ndodhej në punë, por askush nuk u përgjigj më, kur ajo kërkonte të lidhej me stafin për të mësuar më shumë.

Vetë ai - thotë se gjithçka kishte ndodhur e mësoi kur mbërriti në spitalin e Traumës dhe mori lajmin e kobshëm se djali i tij ndërroi jetë.

Sot në duar mori çantën me libra të cilën Martini i vogël mbante ditën e ngjarjes. Hetuesit i kthyen të gjitha sendet e sekuestrua nga oficerët e policisë.

Martin Cani mbeti viktimë e një sherri mes të miturish pas mbarimit të mësimit për sherre banale që mund ta kenë zanafillën edhe në rrjetet sociale. Ai u godit me thikë gjatë përleshjes nga bashkëmoshatari i tij, ndërsa shoku i tij po 14 vjeç mbeti i plagosur dhe tashmë është dërguar për trajtim të specializuar në Itali, ndihmuar nga shqiptarët që mblodhën mbi 80 mijë euro për kurimin.

Autori i dyshuar, i cili gjatë sherrit u vetëplagos me thikë në parakrah ndodhet në institutin e të miturve në Kavajë, në masën “Arrest në burg”, të cilën e ka animuar në Apel me pretendimin se vrasja ndodhi për vetëmbrojtje.

Ngjarja në derë të shkollës ngjalli reagime të shumta për sigurinë e fëmijëve, ndërsa prindërit në disa protesta kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit. Në Shqipëri, qeveria ka nisur konsultimet publike, për të kufizuar ose ndaluar rrjetet sociale kryesisht Tik-Tok dhe SnapChat për të miturit, ndërsa një paketë sigurie me kamera në çdo klasë dhe detektor në hyrje të çdo shkolle për pajisjet metalike, celularë, thika e armë, pritet të implementohet së shpejti në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe.