Një delegacion i policisë greke ka mbërritur në Tiranë për të kërkuar informacion nga policia shqiptare në lidhje me vrasjen e ekstremistit Kacifas të dielën e kaluar në Gjirokastër.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu  ka pritur delegacionin e policisë greke, ndërsa sipas njoftimit të shpërndarë për mediat ka shkëmbyer informacion mbi operacionin ku mbeti i vrarë Kacifas.

Veliu ka njoftuar grekët me dinamikën e operacionit pas pretendimeve që janë ngritur në vendin fqinj.

Ndërkohë që janë ndalur nga policia e Gjirokastrës dy grekë për veprime të dyshimta. Pasi janë marrë në pyetje nga policia më pas janë lenë të lirë.

Ndërsa pala shqiptare dhe ajo greke po bashkëpunojnë duke shkëmbyer informacion për të shmangur incidentet nga elementët ekstremistë në ceremoninë e varrimit të Kacifas.

Aktualisht trupi i tij ndodhet në morgun e QSUT në Tiranë për ekspertizë të thelluar, ndërsa hetimet po zhvillohen nga prokuroria e Krimeve të Rënda.