Vrasja e Nikulajt, avokati në Londër tregon si bindet gjykata për ekstradimin e të prangosurve! Ish prokurori: Pala shqiptare mund të dërgojë material plotësues

Ekstradimi nga Britania drejt Shqipërisë i 4 autorëve të dyshuar të vrasjes së Ardian Nikulajt në Lezhë bëhet përmes vërtetimit të gjeneraliteteve, provave të arsyeshme se janë të përfshirë në krim. Më e rëndësishmja është bindja e gjykatës britanike se pala shqiptare do marrë vendim të drejtë.

Kështu bëri me dije avokati shqiptar në Londër, Naim Hasani në një lidhje me skype për Report Tv në emisionin ‘Sot, live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu. Hasani u shpreh se ekziston mundësia më e madhe që të qëndrojnë në burg 4 personat e arrestuar pasi përballen me akuza të rënda.

“Nuk do të kisha menduar që gjykata ka refuzuar arrestimin. Kjo është në dorë të skuadrës së ekstradimit dhe është magjistrati i veçantë që vendos nëse arrestohet ose jo. pala shqiptare duhet të vërtetojë gjeneralitetet, dyshimi i arsyeshëm që janë të përfshirë në vepër kriminale dhe të bindin gjykatën britanike se do të marrin gjykim të drejtë. Vetëm kështu bindet gjykata britanike. Ata akuzohen për vepra të rënda penale dhe është e vështirë që gjykata britanike të vendosë liri me kusht. Mundësia më e madhe është se do të qëndrojnë në burg derisa të merret vendimi për ekstradimin ose jo”, tha Hasani.

Ish prokurori Eugen Beçi tha se nuk është e nevojshme të dërgohet dosja e plotë por mjafton të dërgojnë material plotësues që të bindin gjykatën britanike për ekstradimin.

“Referuar marrëveshjes 2 palëshe, rruga ligjore është e hapur. Për këtë arsye duhet vetëm procedura për të realizuar procesin e ekstradimit. Duhet të marrin vendimin nga gjykata për të vijuar më pas me ekstradimin. Mbetet në dorë të autoriteteve shqiptarëve që të dërgojnë materialin plotësues që do të bindin gjykatën britanike për ekstradimin. Paraqitja do të bëjë të mundur hetimin e mëtejshëm të kësaj çështje. Hnë rastin konkret kemi marrëveshje që duhet zbatuar dhe të dyja palët kanë hequr dorë nga konventa për mosekstradimin e shtetasve të tyre në drejtim të një vendi tjetër. Në momentin e ekstradimit nuk shkon dosja e plotë. Pala shqiptare duhet të çoje disa dokumente si vendim gjykate, relacioni i prokurorit që parashtron provat, gjeneralitetet e të arrestuarve”, tha Eugen Beçi.

Beçi shtoi se ‘nuk është fundi i botës’ nëse mbyllet procesi i ekstradimit sepse nuk e pengon drejtësinë shqiptarë që të vijojë hetimet.

“Po, në këtë rast procesi është i mangët por procedura penale shqiptare e lejon dënimin në mungesë. Nëse dënohet me burg, rishpallet në kërkim për veprën penale”, tha Beçi.

Ndër provat kryesore janë pamjet filmike që korrespondojnë, disa materiale biologjike dhe ADN në dhomat që kanë qëndruar si dhe në makinën me qira të marrë nga Edmond Haxhia.

Përfshirja e 4 britanikëve dhe e shqiptarit me nënshtetësi britanike, Edmond Haxhia që dyshohet se ka organizuar dhe porositur vrasjen e biznesmenit dhe politikanit të njohur Ardian Nikulaj, ka sjellë në Lezhë hetuesit britanikë. Një grup prokurorësh anglezë u pritën nga drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj, për të njohur më me detaje dosjen shqiptare të atentatit ndaj Nikualjt dhe provat e pretenduara ndaj britanikëve bashkëpunëtorë. Hetuesve britanikë u duhet të binden nga provat për t’i hapur ose jo rrugë ekstradimit.

Rolet i të akuzuarve në vrasje
Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit. I pari mbërriti më 14 shkurt, portugezi Saravia, që në zonën e Lezhës u shfaq si turist. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë nën kamuflimin e turistëve, por kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt. Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, siç është edhe një moment i fiksuar në kamera, kur hyn natën në hotel dhe gjen rojën në gjumë. Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit. 

Historia e hasmërisë mes 2 fiseve që nisi për 1000 lekë
Hasmëria mes fisit Palaj (Lektasaj) dhe Nikulaj e ka zanafillën në vitin 1996 ku anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj) kanë ekzekutuar vëllain e Ardian Nikulaj, pas një konflikti të çastit në një pikë karburanti për 1000 lekë karburant. Pas kësaj vrasje në Lezhë janë ekzekutuar në një atentat dy anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj). Sot e kësaj dite kjo ngjarje e rëndë e ndodhur disa vite më parë është e pazbardhur dhe s’ka asnjë autor të dënuar nga drejtësia. Mendohet se vrasja e Nikulajt ka ardhur pikërisht në vazhdën e këtyre krimeve për gjakmarrjeje.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim