Një grua, rreth të tridhjetave, me origjinë nga Ukraina. Shumë e aftë për t’u maskuar dhe për t’u paraqitur si burrë: ky është përshkrimi për personim që vendosi bombën në formë pakoje përpara derës kryesore të oligarkut ukrainas Vadim Ermolaev më 29 qershor.

Që atëherë, e dyshuara mbetet në arrati, pavarësisht mobilizimit dhe kërkimeve të gjera të ndërmarra nga policia e principatës së Monakos, me ndihmën e autoriteteve franceze. Megjithatë, tri ditë pas sulmit ndaj Ermolaevit, ka nisur të krijohet një profil më i qartë i autores së dyshuar. Hetuesit e identifikuan atë falë një dëshmitari që kishte rënë në kontakt me të ndërsa ajo po përgatiste sulmin ose gjatë vizitave të shumta paraprake për vëzhgimin e objektivit. Dihet gjithashtu se ajo banon në Gjermani.

Një sërë informacionesh janë siguruar nga hetuesit e Monakos dhe po ndahen me kolegët francezë, si edhe me forca të tjera policore në Evropë, veçanërisht në Itali. Pikërisht Italia besohet të jetë vendi ku gruaja ka kaluar, bazuar në gjurmimin e lëvizjeve të telefonit të saj celular, sipas gazetës franceze Le Parisien, e cila citon rindërtimin e ngjarjeve nga hetuesit.

Sipas hetimeve, gruaja dyshohet se mori një automjet në Beausoleil, Francë, i regjistruar dhe i marrë me qira në Gjermani, dhe më pas u nis drejt Italisë. Gjithashtu, sipas Le Parisien, gruaja besohet të jetë Anastasia B., 39 vjeçe. Ajo nuk është arrestuar pasi nuk u gjet në adresën e regjistruar.

Hetuesit kanë mësuar gjithashtu për aftësinë e të arratisurës për t’u “maskuar që të dukej si burrë”, sipas një memorandumi të brendshëm të policisë së Monakos. Pamjet e gruas duke ecur ose vrapuar, e veshur me një xhaketë të zezë, një kapelë të errët të stilit bob dhe xhinse me ngjyrë të çelët janë publikuar në media të ndryshme franceze dhe më pas janë shpërndarë në internet dhe rrjetet sociale, thuajse për të treguar se autoritetet po i afroheshin identifikimit të saj dhe të bashkëpunëtorëve të mundshëm. Dihet gjithashtu se, në ditët para sulmit dhe edhe në mëngjesin e ditës së atentatit, gruaja ukrainase kishte kryer disa vizita vëzhgimi pranë banesës së Ermolaevit, partneres së tij Anna Nasobina dhe djalit të tyre 13-vjeçar.

Lëvizjet e saj janë rindërtuar me hollësi. Pak para orës 21:00 të së hënës, gruaja vuri re familjen ukrainase në zonën përreth Place des Moulins dhe filloi t’i ndiqte, duke u filmuar nga disa kamera sigurie. Në një moment, ndërsa familja Ermolaev po i afrohej banesës, ajo i parakaloi për të dalë përpara tyre dhe u ndal rreth 10 metra larg. U drejtua drejt hyrjes së ndërtesës, ngjiti tri shkallët dhe vendosi bombën në formë pakoje në tokë. Më pas u largua me shpejtësi, duke ndaluar vetëm për të verifikuar se familja kishte hyrë në ndërtesë.

I pari që kaloi derën kryesore ishte djali 13-vjeçar i Ermolaevit, i cili pësoi plagë të lehta. Por në momentin kur Anna Nasobina kaloi pranë pajisjes shpërthyese, autorja aktivizoi detonatorin në distancë, duke shkaktuar shpërthimin. Në fakt, Anna Nasobina mbetet edhe sot personi më i plagosur rëndë: ajo ndodhet në gjendje kritike dhe i janë amputuar të dyja këmbët. Sipas hetuesve, pas këtij sulmi dyshohet se qëndrojnë krimi i organizuar ose shërbimet sekrete ukrainase, një pistë që zhvillimet e fundit të hetimit duket se e kanë forcuar.