Objektivi i bombës që shpërtheu mbrëmjen e së hënës pranë hyrjes së një godine luksoze në Principatën e Monakos ishte, me shumë gjasa, Vadim Ermolaev, oligark me origjinë ukrainase, i cili mbeti i plagosur rëndë.

I lindur në Dnipro, në vitin 2019 Vadim Ermolaev hoqi dorë nga shtetësia ukrainase për të marrë pasaportën qipriote. Ai ka katër fëmijë, njëri prej të cilëve, 13 vjeç, ndodhej me të në momentin e atentatit dhe mbeti gjithashtu i plagosur, por më lehtë.

Ermolaev ka grumbulluar një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij falë prodhimit të pijeve alkoolike. Përpara luftës në Ukrainë, Forbes e vlerësonte pasurinë e tij në 220 milionë dollarë dhe e rendiste në vendin e 23-të në listën e 100 njerëzve më të pasur të Ukrainës.

Në krye të kompanisë agro-ushqimore Alef, Ermolaev është gjithashtu bashkëpronar i kompanisë financiare estoneze Versobank, e cila u pezullua në vitin 2018 nga Banka Qendrore Evropiane për “shkelje sistematike të rregullave kundër pastrimit të parave”.

Kur hoqi dorë nga shtetësia ukrainase dhe zgjodhi atë qipriote, ai shpjegoi: “Dua të përfitoj nga mbrojtja ndërkombëtare. Sistemi gjyqësor ukrainas, për ta thënë butë, është shumë larg të qenit i përsosur dhe administrata tatimore nuk është objektive.”

Megjithatë, ai vazhdoi të bëjë biznes në Ukrainë dhe në vitin 2021, përmes kompanisë së tij Alef, rifilloi ndërtimin e një kompleksi të pasurive të paluajtshme në Dnipro. Po atë vit inauguroi edhe centralin më të madh termik me biomasë në vend.

Në vitin 2025 ai shkroi në Instagram: “Nuk duhet të mjaftohemi duke e kthyer Dnipron siç ishte më parë. Pas kësaj lufte, Ukraina është ndryshe dhe Dnipro duhet të bëhet simbol i qëndresës, i zhvillimit teknologjik dhe i një qasjeje të re urbanistike.”

Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes i Ukrainës i vendosi atij sanksione 10-vjeçare në vitin 2023 për bashkëpunim me Rusinë. Miliarderi akuzohet se ka vazhduar aktivitetin e tij në tregtinë e pijeve alkoolike në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Ermolaev njihet si frekuentues i rregullt i kazinosë dhe lëviz me Bentley. Ai zotëron një jaht të madh dhe një vilë luksoze pranë Saint-Jean-Cap-Ferrat. Sipas shërbimeve ukrainase, ai bën pjesë në “batalionin Monako”, grupin e miliarderëve që u larguan drejt Principatës menjëherë pas shpërthimit të luftës./CorrieredellaSera