Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj Arbër Paplekajt i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill të vitit 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Mësohet se në seancë kanë munguar 10 dëshmitarët të cilët janë thirrur për të dëshmuar mbi ngjarjen. Këta të fundit do të thirren sërish për të dëshmuar në seancën e 11 prillit, dhe në rast se do të mungojnë, ndaj tyre do ketë dispozita ligjore. Ndërsa prokuroria e Elbasanit, për të dytën herë ka këmbëngulur që të thirret për të dhënë dëshminë edhe deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, i cili ishte i pranishëm në kohën kur ndodhi ngjarja si drejtues politik i partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit.

Kjo kërkesë ashtu si herën e parë, është hedhur poshtë nga gjykata e Elbasanit, me argumentin se Bardhi duhej të ishte marrë në pyetje më para dhe jo tashmë në këtë pikë të hetimit ku nuk është përfshirë.

Në bankën e të akuzuarve sot është ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Paplekaj, i cili në zgjedhjet e 2021-shit ishte bërë pjesë e strukturës së paligjshme të mbrojtes së votës. Ai qëlloi Xhuvanin pas një konflikti mes militantëve të dy palëve për blerjen e votave.

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi. Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë).

Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota. Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend. Këtë e bëri publik me zë dhe me figurë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke bërë me dije se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin të paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:05
Shtyhet sërish seanca gjyqësore për Arbër Paplekajn, rrëzohet për të dytën herë kërkesa e prokurorisë për thirrjen e Bardhit si dëshmitar

Gjykata e Elbasanit ka shtyrë sërish për një ditë tjetër seancën gjyqësore ndaj Arbër Paplekajt të akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill të vitit 2021.

Për të dytën herë, prokurori i çështjes ka kërkuar thirrjen e deputetit Gazment Bardhi i cili ka qenë i pranishëm ditën e ngjarjes. Por kjo kërkesë është rrëzuar nga gjykata e Elbasanit.