TUNIZI - Në Tunizi kriza politike është thelluar pas vrasjes së figurës kryesore të opozitës Chokri Belaid. Vrasja e tij ka shkaktuar protesta masive ku mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit si dhe në shumë qytete të tjera të Tunizisë.

Protestuesit akuzojnë liderin e partisë Ennahda në pushtet për vrasjen e politikanit. Ndërkohë Ennahda ka refuzuar të mbështesë kryeministrin për krijimin e një qeverie të re teknike. Sot sindikata më e madhe tregtare e vendit ka organizuar një grevë të përgjithshme në shenjë proteste.

Shefi i OKB-së Ban Ki Moon ka dënuar vrasjen e liderit të opozitës Chokri Belaid dhe u shpreh se tranzicioni demokratik nuk duhet të pengohet nga aktet e dhunës.

Disa analistë thonë se vrasja është e qëllimshme për të cuar vendin në kaos dhe destabilizuar vendin.
Kohët e fundit Tunizia është përballur me shumë tensione politike mes partisë islamike Ennahda dhe kundërshtarët e saj të moderuar për shkak të zhgënjimit si pasojë e mungesë së progresit social pas rrëzimit të regjimit të diktatorit Ben Ali.

Deri tani asnjeri nuk ka marrë përgjegjësine e vrasjes së Belaid. Sot ai është përcjellur për në banesën e fundit nga mijëra vetë të cilët do ta kujtojnë si avokati që luftonte për liri.


(l.ç/ad.ti/shqiptarja.com)