Autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit portugez në Ksamil, Sokrat Vata, ka shprehur pendesë në Gjykatën e Sarandës për krimin e kryer dhe u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimës.

Ai ka treguar edhe versionin e tij të ngjarjes, ku ka thënë se sherri nisi pas zhurmës që turistët francezë po bënin brenda lokalit.

Vata tha se ai dhe kolegu i tij i kishin kërkuar që të mbanin qetësi, por sipas tij, në përgjigje morën sulme nga ana e turistëve.

“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës, u shpreh ngushëllimet e mia dhe jam penduar për atë që ka ndodhur. Një grup turistësh francezë ishin brenda në lokal dhe po bënin zhurmë. Shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, por ata nuk u bindën dhe filluan të na shanin. U afruam më pranë dhe u kërkuam sërish të mbanin qetësi, por ata filluan të na godisnin”, tha mes të tjerash Vata.

Më pas Vata tha se gjatë përleshjes fizike dolën në pjesën e jashtme. 29-vjeçari pretendoi se aty konstatoi se njëri prej turistëve kishte një thikë. Vata tha se ia kishte marrë thikën turistit dhe në përpjekje për t’u vetëmbrojtur, kishte qëlluar instiktivisht.

"Gjatë përleshjes fizike kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri prej tyre kishte një thikë, e kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment, dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull. Aty jam rrëzuar dhe ata kanë tentuar të më godasin sërish. Instinktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur. Nuk e kujtoj se si e kam goditur, pasi isha nën shok. Nuk e dija nëse ndonjëri prej tyre ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku jam larguar”, ka pretenduar Sokrat Vata.


Lajmi kryesor:

9 orë seancë/ Lihet në qeli autori i vrasjes së portugezit, 2 turqit dhe 3 kamarierët e ‘Principotes’! Vata: Po bënin zhurmë, thikën ia mora turistit! Detyrim paraqitjeje për 5 të tjerët (VIDEO)