“Kemi pasur informacion që kjo ndodhte prej kohësh” shprehet aktivisti Indrit Osmani gjatë një interviste me gazetaren e Report TV, Joana Preja, në lidhje me zbulimin makabër të një varri masiv qensh të zbuluar në zonën e Lanabregasit në Tiranë.

“Ka qenë shumë e vështirë për të identifikuar vendin se ku po i hidhnin por duke kërkuar vazhdimisht gjetëm një pjesë të tyre. Qentë ishin të ngrirë. Sapo ishin hedhur. Dhomat frigoriferike mund ti ketë vetëm një klinikë veterinare apo një strukturë spitalore” thotë ai duke akuzuar klinikën veterinare të Bashkisë së Tiranës, si vendin ku qentë e ngordhur janë mbajtur në kushte frigoriferike.

“Nuk janë dyshime. Gjerat janë të qarta. Ne kemi pasur informacion se nga cila klinikë vinin. Këta vijnë nga klinika veterinare e Bashkisë së Tiranës, Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Nuk kemi arritur t’i filmojmë dot kur i kanë nxjerrë nga klinika dhe i kanë hedhur këtu por e dinim që kjo procedurë ndodhte vazhdimisht dhe dinim vendin ku hidheshin qentë të shpërndarë në kosha të ndryshëm për të mos lënë gjurmë” thotë ai.

Gjatë intervistës, ai foli për shkelje të protokollit për asgjësimin e qenve të ngordhur, duke argumentuar se janë Ministria e Bujqësisë dhe Shërbimi Veterinar Shtetëror ai që përcakton vendin për groposjen e kafshëve.

““Ne kemi pasur gjithmonë dyshime që vriten nga Bashkia e Tiranës. Në rastin konkret nuk janë asgjësuar. Nuk u është bërë asnjë eksperiment. Thjesht u është bërë eutanazia, janë grumbulluar në frigoriferë dhe më pas janë hedhur. I janë shmangur protokollit që thotë se në rast kufomash të kafshëve, është Ministria e Bujqësisë dhe Shërbimi Veterinar Shtetëror që përcakton vendin për groposjen e kafshëve” tha ai.

I pyetur nëse ka besim tek drejtësia mbi këtë çështje, Osmani solli në kujtesë edhe rastin e nëntorit të vitit 2025 kur punonjës të Bashkisë u filmuan në përfshirjen e tyre në helmimin e qenve. 

“Kemi bërë denoncim dhe shpresojmë” thotë ai.


Lajmi kryesor:

Mister hedhja e 11 qenve të ngordhur dhe të ngrirë në koshin e plehrave, nisin hetimet! Aktivisti akuza klinikës veterinare të Bashkisë Tiranë