TIRANE- Anwar Rizik, zv drejtori i Fabrikës së çimentos edhe pse kishte marrë kërcënime me vdekje nga banorë të zonës së Fushë-Krujës nuk kishte asnjë masë sigurie si drejtuesit e tjerë të kësaj fabrike shkruan sot Shqiptarja.com.  Pavarësisht konflikteve dhe presioneve të banorëve të zonës ku ishte ndërtuar fabrika e çimentos, Rizik kishte zgjedhur që të qëndronte pa asnjë mbrojtje.

Sipas burimeve pranë policisë dhe prokurorisë së Tiranës, të cilat u referohet sot gazeta, dyshimet më të forta janë mbi anëtarët e disa familjeve, mbi pronat e të cilave është ndërtuar fabrika. Ndërsa për sa i përket pistave të tjera, prokuroria bëri me dije se ato janë të përjashtuara, për shkak se dhe viktima nuk ka pasur asnjë lidhje me grupe terrorizimi, konflikt për konkurrencën e biznesit apo diçka më tepër se kaq.

“Ne jemi të përqëndruar vetën në Fushë-Krujë, pasi kemi disa raste të njëpasnjëshme ku me të njëjtën mekanizëm janë hedhur në herë, ambientet e fabrikës, shtyllat e energjisë, automjetet, linjat hekurudhore si dhe hekurudhat. Kaq na mjafton që i gjithë hetimi të përqëndrohet në këtë zonë dhe askund tjetër”-kanë thënë burimet pranë prokurorisë së Tiranës duke shtuar se autorët duke shfrytëzuar dhe mungesën e bodigardëve, kanë studiuar mirë viktimën, të cilën arritën ta vrisnin po me të njëjtin mekanizëm, siç dhe kanë bërë atentatet e tjera.

PROKURORIA: VRASJA ME GRANATE ARTIZANALE
Prokuroria e Tiranës ka hedhur dritë dhe mbi mekanizmin e lëndës plasëse, ku pas administrimit të të gjitha provave në vendgjarje organi i akuzës ka kontatuar se lënda shpërthyese ishte një granatë artizanale. Sipas hetuesve të kësaj ngjarje, një kapsoll granate i shoqëruar edhe me siguresën përkatëse ishte futur brenda një qesejë të mbushur me një sasi prej 400 gramë tritol. Në dinamikën që ka ndërtuar prokuroria thuhet se siguresa e grantaës artizanale ishte lidhur me tel me kanatën hapëse të derës, ndërkohë që lënda shpërthyese ishte vendosur në hekurat e derës. Menjëherë pas hapjes së derës, është aktivizuar lënda shpërthyese duke e hedhur në erë 43 vjeçarin Anwar Rizik.

Aktualisht trupi i këtij të fundit është vendosur në një nga frigoriferët e Institutit të Mjekësisë-Ligjore dhe nesër trupi të tërhiqet nga familjarët dhe më pas të tranpsortohet me avion në drejtim të Palestinës. Ambasada e këtij shteti është duke kryer të gjitha veprimet e dokumentacionit me qëllim marrjen sa më parë të lejes nga autoritetet shqiptare, me qëllim nxjerjen e trupit jashtë kufinjve të teritorit shqiptar. Nga shteti i Katarit ka mbërritur vëllai i viktimës, cili nën shoqërinë edhe me dy kushërinjtë e tij do të shoqërojnë trupin. Ndërkohë që mësohet se në drejtim të Palestinës do të udhëtojë dhe bashkëshortja e viktimës, Elda. Dëshmi për vrasjen ka dhënë dhe drejtori i fabrikës së çimentos Charl Bouri.
Ndërkohë që dje është mbajtur një meshë në Kishën Autoqefale Ortodokse që ndodhet në rrugën e Kavajës.
(ne foto mesha ne Kishen Ortodokse për Anwar Rizik)
 (sg/shqiptarja.com)