TIRANE- Për vrasjen palestinezit Anwar Rizik, të mërkurën e kaluar, policia drejton gishtin te banorët e fshatit Zallë në Fushë Krujë, por nisin verifikimet dhe në Kosovë te kompanitë konkurrente. Mesditën e së premtes hetuesit nisën një kërkesë për sigurimin e tabulateve telefonike të disa aksionerëve dhe drejtuesve të kompanisë. Gati 10 ditë para vrasjes Anwar Rizik ishtë takuar me një përfaqësi e banorëve të fshatit Zallë për të zgjidhur konfliktet që kishin me këta banorë.

Të përditshmet shqiptare "Shekulli" dhe "Mapo" zbulojnë sot detaje të reja të hetimeve në lidhje me vrasjen e palestinezit Anëar Rizik

HETIMET SHTRIHEN NË KOSOVË
Gazeta "Mapo" shkruan sot se policia ka shtrirë hetimet dhe në Kosovë. Aksionerët e kompanisë “Cement Factori Albania” kur janë marrë në pyetje në polici kanë deklaruar se në tre vitet e fundit ka pasur sinjale pakënaqësie dhe tensioni me disa biznesmenë të Kosovës pasi kompania e tyre nisi të eksportonte cimento në Kosovë, Maqedoni, Masl të Zi dhe Serbi. Burimet e policisë saktësojnë se këto janë pista dyshimi.

ZALLE,RIZIK TAKOI BANORET 10 DITE PARA VRASJES
Nga ana e saj gazeta Shekulli shkruan sot se dhjetë ditë para vrasjes, palestinezi Anwar Rizik, kishte zhvilluar një takim me banorët e fshatit Zallë të Fushë- Krujës.  Në cilësinë e përfaqësuesit të fabrikës së cimentos, Rizik kishte zhvilluar një takim me një përfaqësi të banorëve të fshatit për të zgjidhur konfliktet pas ndërprerjes së pagesës si kompensim për ndotjen të cilat u pasuan me shpërthime të njëpasnjëshme me eksploziv që kishin si objektiv fabrikën.
Sipas "Shekullit" Rizik është treguar i vendosur që të mos paguante nën dorë banorët e zonës në këmbim të sigurisë
“Unë jam këtu dhe përveç Zotit nuk kam frikë nga askush mbi dhe. E vetmja gjë që i druhem është zoti dhe mëkatet që mund të bëj.”- citohet ti ketë thënë Rizik banorëve. Gjithashtu gazeta “Shekulli” shkruan sot se përveç George Jeha, aksioner në fabrikë, mesazhe kërcënuese janë dërguar dhe për Charls Bouri, drejtorin e fabrikës së cimentos.
Duke iu referuar burimeve nga policia e Tiranës gazeta shkruan se në të paktën 3 raste Bouri ka marrë mesazhe kërcënuese telefonike nga një banor i fshatit Zall në Fushë Krujë. Në mesazhe kërkohej që të mos u ndërpritej pagesa që u jepej banorëve në formën e dëmshpërblimit për shkak të ndotjes së mjedisit që shkakton fabrika nga clirimi i gazrave dhe i pluhurave gjatë procesit të prodhimit të çimentos. Fabrika u jepte pagesë rreth 30- 40 familjeve. Po kështu ai prishi kontratën me firmën e rojeve private në pronësi të Fatmir Zallës, djali i xhaxhait i Bashkim Zallës. Gazeta shkruan se në asnjë rast Bouri nuk ka bërë denoncimin në polici ndaj këtyre personave që më pas të niste dhe procedimi penal.

Gazeta Shqiptarja.com publikoi të shtunën planin për eliminin e një prej aksionerëve të fabrikës së cimentos. Bashkim Zalla i kishte dërguar një sms kërcënuese George Jeha nëpërmjet të cilit e kërcënonte me jetë pasi pretendonte se Jeha kishte përgatitur një plan për të vrarë Bourin dhe për këtë qëllim Jeha kishte paguar 1.5 mln euro.
(sg/shqiptarja.com)