Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar në qytetin e Bulqizës, ku ka humbur jetën një 22-vjeçar.
"Dyshohet se e plagosi me armë gjahu aksidentalisht shokun e tij, i cili humbi jetën, shoqërohet në Polici 27-vjeçari.
Rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, në një kodër të fshatit Fushë Bulqizë, shtetasi K. K., së bashku me shtetasin E. B., në rrugën Fushë Bulqizë - Kodër Dane, dyshohet se kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu çifte. Dyshohet se nga pakujdesia shtetasi K. K. ka plagosur shokun e vet, shtetasin E. B., 22 vjeç, i cili ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Tiranës.
Menjëherë pas njoftimit të marrë u ngrit grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Falë veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e gjahut, një elektrik dore, motomjeti me të cilin këta shtetas kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, shtetasin K. K., 27 vjeç, për veprime të mëtejshme hetimore. Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Drejtorisë vendore të Policisë Dibër vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes", njofton policia.
Lajmi kryesor: