Vrasja e të vëllait, një fakt 
tronditës nga jeta e Gjergj Fishtës

Vrasja e të vëllait, një fakt <br />tronditës nga jeta e Gjergj Fishtës
Biografia e intriguar e poetit. Pse e ndihmoi Shtjefën Gjeçovin për mbledhjen e Kanunit. Vrasja e të vëllait nga hasmi, si e shkroi poezinë "Gjaksorvet"

Gjergj Fishta ishte një frat katundesh kur, në vitin 1901, në revistën "Albania" të Faik Konicës, botoi poezinë me titull "Gjaksorvet", që trajton temën e gjakmarrjes. Poeti i ardhshëm e përfshiu poezinë "Gjaksorvet...” në të gjithë edicionet e vëllimit "Mrizi i Zanave", megjithatë studiuesit e veprës së tij pak ose aspak janë marrë me të. Cila të ishte arsyeja, vallë?

    Më parë se të rrekemi t'i japim përgjigje kësaj pyetje të shtruar diç më tepër se një shekull pasi qe shkruar ajo poezi (1899), po u kujtoj lexuesve se kam zgjedhur për interpretim variantin e fundit, atë me titull "Gjaksorvet", të botuar në vëllimin "Mrizi i Zanave" (1941), redaktuar nga frati tjetër, njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të autorit, filologu Viktor Volaj.
                           *  *  *
                                             
Pas rileximit të poezisë, pyetjes që u shtrua: cila mund të jetë arsyeja që studiuesit e veprës së Fishtës nuk janë marrë mjaftueshëm me këtë poezi, i shtohet edhe një "pse" tjetër. Janë tre burime biografike që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me përmbajtjen e poezisë "Gjaksorvet", burime të cilat, gjithashtu, nuk janë vlerësuar sa duhet nga biografët e autorit të "Mrizit të Zanave". Përse?

       Burimi i parë na vjen nga Viktor Volaj, i cili, në hyrjen komentuese që i bën kësaj poezie, na sjell edhe një fakt mjaft tronditës nga jeta e Gjergj Fishtës. Ai na informon se në vitin 1899 Fishtës i kanë vrarë vëllain e madh, gjë që u bë "shkas për me u lëshue me këtë lirikë kundra gjaksorvet". Vdekje tragjike, e quan Danjel Gjeçaj këtë vrasje, që Fishta “e stigmatizoi dy vjet mbrapa në lirikën e përmendur nën titullin “Gjaksorve”. Biografët e tjerë të Fishtës, thuajse të gjithë, nuk i kanë kushtuar ndonjë vëmendje të mëtejshme kësaj ngjarje. Madje, ata nuk e përmendin thuajse fare, ndoshta, duke e menduar vetëm si shtysë të një prej lirikave, relativisht të shkurtra, ndërmjet mijëra vargjeve, që na ka lënë të shkruar poeti.

       Burimi i dytë është nga Marin Sirdani, një françeskan tjetër bashkëkohës i poetit, i cili, në kujtimet e veta, shpjegon në mënyrë intriguese se, kur ndodhi kjo ngjarje, Fishta, "ende meshtar i ri" (në moshën 27-vjeçare), ishte larguar nga kuvendi për të mbërritur sa më parë në fshatin e tij të lindjes. Dhe, siç u mësua më vonë, qëllimi i këtij nxitimi kishte qenë të qetësonte gjakrat në mes të dy palëve, rënë në hasmëri. Ai ia del të bindë njerëzit e fisit të vet që "jo vetëm me e falë (gjakun), por edhe me u miqasue ata (të) dy sh(të)pi…" dhe fise, duke krijuar marrëdhënie kumbarie.

    Burimi i tretë është i Terenc Toçit, një intelektual i njohur për kohën dhe mik i poetit, i cili nuk duhet ta ketë ditur këtë fakt biografik, kur shkruan në kujtimet e tij për Fishtën. Por ai shpjegon se si Fishta, me oratorinë e tij të rrallë, pajtoi dhe i lidhi me një dasmë dy familje që kishin rënë në gjak, pasi, më parë, i kishin fejuar fëmijët e tyre qysh në djep, sipas një zakoni të kahershëm të atyre krahinave. Të paktën, nëse do të kishte dëgjuar diçka për dëshminë e Sirdanit, Terenc Toçi do ta lidhte rastin, që evokon, me ngjarjen që i kishte ndodhur vetë Fishtës në rininë e tij ose do të bënte një koment më tepër. Por jo.

       Që të tre burimet vetëm sa kanë pasuruar atë aureolë të shndritshme të mitit mbi Fishtën, që, aq sa e lartëson imazhin e një poeti, jo më pak edhe e dëmton atë. Kjo e dyta, sepse pengon komunikimin e brendshëm poetik, komunikimin me ngarkesën e plotë të vargut dhe ngjyrimet emocionale të fjalës së tij poetike. Kështu, të tre kumtuesit kanë krijuar tregime tërheqëse, për të dëshmuar aftësitë e Gjergj Fishtës si poet të frymëzimeve të qëllimta (Volaj), si misionar të devotshëm françeskan (Sirdani) dhe si orator sugjestionues (Toçi).

      Ndërsa poezia "Gjaksorvet" thotë më tepër se të tre tregimet, të marra së bashku. Ajo poezi paralajmëron lirikun e fuqishëm të letrave shqi-pe, lirikun e ndjesive të holla e delikate, aq sa poetin zëdrithëruar për fatet e shqiptarëve dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

      Duke trajtuar me guxim tema thuajse tabu, të mbetura ashtu deri në ditët e sotme, Gjergj Fishta i tejkalon standardet limit të kohës së tij, që kënaqeshin me poetin, i cili vargëzon urrejtjet e rastësishme; mjaftoheshin me klerikun, i cili përligj zhgunin e françeskanit që ka hedhur krahëve; lëvdoheshin me oratorin që vë në shërbim të fatmjerëve humanizmin dhe talentin e tij.

      Gjithsesi, pavarësisht nga kufizimet për shkak të karakterit intrigues dhe anekdotik të tyre, të tre burimet biografike, që lidhen me poezinë "Gjaksorvet", na ndihmojnë në interpretimin e saj si një frymëzim poetik spontan, që merr shtysë nga një ngjarje e jetuar, çfarë është karakteristikë e përgjithshme e krijimtarisë së mëvonshme të Fishtës. Nga ana tjetër, këto burime biografike na e përforcojnë bindjen se ekspresiviteti i vargjeve fishtjane buron nga përjetime të fuqishme poetike të dukurive mbresëlënëse të jetës reale, prandaj vargjet e tij shpërthejnë në mënyrë të vetvetishme, me një shqipe të bukur tingëllore, ngopur me një tharm idesh befasuese edhe për vetë poetin që i ka shkruar.

    Të tilla janë, sa për shembull, vargjet e strofës 8, ku Shqipëria përfytyrohet si një "shtëpi e dalë fare" për shkak të gjakderdhjes. Nënteksti ironik nuk kursen as një prej simboleve të kulturës së trashëguar kombëtare, siç është instrumenti muzikor, lahuta, që tashmë hesht "me thirr (blozë) ndër hatlla mblue", ndërsa "shejzeza qyqe shqiptarëve u këndon në oborr" të shtëpive:
 
     "E kanga ndër ne shuejti,
     Porsi n'nji shpi dalë fare:
     Me thirr ndër hatlla mblue
     Lahuta eshtë shqyptare,
     E por shejzeza qyqe
     Shqyptarve u kndon n'oborr…"
 
    Dhe të mos harrojmë se jemi në vitet 1899-1901, kur të gjithë letërsinë shqiptare e sundonte veçse ideali romantik: "Ti Shqipëri më jep nder…".      
 
 
Pse kanuni i Lekë Dukagjinit?
 
Në kapitullin e tretë të “Parathënies” së Fishtës trajtohet problemi i emrit të Kanunit, d.m.th., a quhet dhe pse quhet Kanuni i Lekë Dukagjinit?
       Pyetja “a quhet?” përbën një prej çështjeve kanunore më të diskutueshme edhe sot e kësaj dite. Ajo pyetje mund të formulohet edhe ndry-she: a ka shtruar Fishta ndonjë opsion tjetër për autorësinë e kanunit dokesor të mbledhur nga kolegu i tij, “françeskani i shkëlqyeshëm” dhe  “i paharrueshmi”, Shtjefën Gjeçovi? P.sh., a ka thënë Fishta se Kanuni i Lekë Dukagjinit quhet ashtu jo prej princit me të njëjtin emër, por sepse ky Kanun “ka qenë zbatue ndër “Lekë” e “Dukagjinë”; pra: “Kanuni Lekë-Dukagjin” e jo i “Lekë Dukagjinit“? 

Fjalët e nënvizuara janë të Fishtës, d.m.th. se ai diç ka dashur të thotë. Dhe diç ka thënë edhe kur e ka përmbyllur paragrafin me fjalinë: “Këto çështje, tash i zhvillon me kohë historia.” Por assesi nuk ka thënë, si duan ta shqip-tojnë disa, kur këmbëngulin se Fishta e ka vënë në dyshim që Kanuni i shqiptarëve të ketë lidhje me princin e tyre Lekë Dukagjini.

       Përkundrazi, Kanuni, thotë autori i Lahutës së Malcis, quhet i Lekë Dukagjinit, sepse gojëdhëna ashtu e ka sjellë deri në ditët e sotme.  Fishta u mbështet për këtë konkluzion edhe te autoriteti shkencor i Milan Shuflait (“autorit të famshëm, Dr. Milan Shufla”), i cili në librin e vet “Serbët dhe shqiptarët” ka arritur në përfundimin “se për­njimend Kanuni ka mujtë me qenë kodifikue prej Lekës III (Lekë Dukagjini, i Treti).”
       Edhe pyetja tjetër, “pse Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit?”, është po aq e diskutueshme sa e para, sepse edhe ajo ngërthehet ndër disa kleçka për keqinterpretime.

Disa duan të thonë, siç e kam cekur më sipër, se feudali Lekë Dukagjini ia imponoi forcërisht emrin e vet Kanunit të popullit. Të tjerë, ndër ta edhe Fishta, mendojnë se Lekë Dukagjini është ai që e kodifikoi atë Kanun, duke lënë të kuptohet se në kohën e tij Kanuni ka qenë i shkruar e, më pas, është trashëguar gojë më gojë: “Merret vesh prej vetit, se, mbas të hymit të Turqve në Shqipni, “Kanuni i Lekës” ka humbë si formë kodi e asht përdhosë si landë drejtësie.” Mund të rreshtohen edhe të tjerë që e bien Kanunin e Lekës nga Leka i Madh (Aleksandri i Maqedonisë) etj., por unë nuk po zgjatem në këto çështje, pasi shumë prej tyre i kam trajtuar gjerësisht te monografia “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”, si dhe në shkrime të tjera. 

       Le të mbetemi te “Parathania” e Gjergj Fishtës. Ai qysh në kapitullin e dytë, “Randësia e të mbledhunit të ligjeve dokesore”, i vlerëson ligjet e përcjella gojë më gojë “që përmblidhen në kanunin doketar të kombit” për rëndësinë e madhe të tyre “për çdo një shtet, që thotë, se do me jetue e me u zhvillue mbas parimeve të arsyes e të hullisë së qytetnisë së vërtetë.” Modeli i fundit i një shteti të tillë ndër shqiptarë ka qenë Principata e Lekë Dukagjinit. Prandaj ligjet e princ Lekës apo sentencat juridike të dala më së fundmi prej gojës së tij, e justifikojnë emrin princëror të Kanunit. 

       Për sa i përket shtrirjes së Kanunit, Fishta e ngushton shumë gjeografinë e aktivizimit të tij. Ai e paralajmëron një gjë të tillë kur, në kapitullin e tretë (“Kanuni i Lekë Dukagjinit”), thotë se “për shumë do arsye mungojnë shënime pozitive mbi këtë çështje”. Për Fishtën, ata që e qesin në punë (e zbatojnë) Kanunin e Lekë Dukagjinit janë lekët dhe dukagjinasit. “Lekë” quhen malësorët e Leknisë që identifikohen me malësorët e Mbishkodrës, në sa “Dukagjinë” (dukagjinasit) janë malësorë të Dukagjinit, që në kohën e Fishtës “përfshinte Shalë e Shosh, Pukë e Iballe, Mir­ditë, Kthellë e Selitë e Zhubën (Malësinë) e Lezhës”. Sigurisht që studimet e mëvonshme e kanë zgjeruar territorin ku shtrihe Kanuni i Lekë Dukagjinit, duke përfshirë Nikaj-Mertur, Kosovë e më gjerë. Ekzistencën e Kanunit në Kosovë e vërteton edhe fakti se valiu i Prizrenit më 1871 dha urdhër të mblidhej e të botohej Kanuni i Lekë Dukagjinit.

       Ky Kanun në vitin 1873 - 1874 del edhe ndër malazez, shi në kohën që mblidheshin pyetësorët për të hartuar kushtetutën e Malit të Zi. Një shtrirje tjetër të Kanunit të Lekë Dukagjinit e gjejmë në zonën Burrel-Dibër: “Në Malet e Dibrës ka vepruar Kanuni i Lekë Dukagjinit.” Në krahina të tjera, më në jug të vendit, ku vepron Kanuni i Papa Zhulit (apo Kanuni i Labërisë), në kolonat themelore (besa, mikpritja... ) gjejmë pika takimi me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Pavarësisht këtyre, Fishta në kapitullin e katërt (“Kanuni i Lekë Dukagjinit në pikëpamje juridike”), këmbëngul se në kohën e pushtimit otoman të Shqipërisë ai Kanun “ka pasë vlerë juridike e asht njehë për ligj civil detyrues ndër male të Mbishkodrës e në Dukagjin”.

fishta











































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit