TIRANË- Albano Kusi, vëllai i Griseldo Kusit, që akuzohet nga prokuroria e Tiranës për vrasjen e teknikut të kondicionerëve Indrit Çelaj, është liruar nga burgu. Pas pesë muaj qëndrim në qeli, Albano Kusi, ka mundur të dalë nga burgu, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur të zbusë masën e sigurisë ndaj këtij të arrestuari, duke vendosur “arrest shtëpie” për të. Me sa duket Kusi, ka shfrytëzuar këtë situatë ligjore duke kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë në këtë periudhë pandemie të virusit COVID-19.

Kërkesa e tij është pranuar nga një trupë gjykues e gjykatës së Apelit Tiranë. Ndërkohë të pandehurit e tjerë për këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në qendër të Tiranës, janë Griseldo Kusi, autori kryesor i vrasjes së Indrit Çelaj, i cili akuzohet për “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa lejë të armëve luftarake”, babai i dy vëllezërve Bujar Kusi, për akuzën e ”Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe ”Moskallëzimit të krimit”, Luan Çaka, Ferdinand Bakalli, Agron Hasrama dhe Ali Sula.

Të gjithë këta persona momentalisht janë të izoluar në burg dhe që presin të dalin para gjykatës, pasi çështja për vrasjen e Indrit Çelaj, tashmë është dërguar në gjykatë. 

Albano Kusi u dorëzua në polici më 15 dhjetor, pas 4 muajsh në kërkim për vrasjen e Indrit Kusit. Ky i fundit është vëllai i autorit të krimit dhe u vetëdorëzua në policinë në muajin nëntor 2019. Gjykata vendosi të caktojë masën e sigurisë “arrest në burg” për Albano Kusin, pasi ndaj të cilit prokuroria e Tiranës kishte ngritur akuzën e ”Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe ”Moskallëzimit të krimit”, por gjykata e Apelit, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 vendosi ta lërë në 'arrest shtëpie'.

Indrit Çelaj u vra më 23 gusht në një vilë në kryeqytet ku po punonte si mekanik për të rregulluar kondicionerin.  Ai humbi jetën pasi u qëllua me një plumb pistolete në kokë nga djemtë e pronarit të ndërtesës ku ai po punonte. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën "Muhamet Gjollesha" në Tiranë, ndërsa i riu, Indrit Çelaj me origjinë nga Mallakastra, ndërroi jetë në Spitalin e Traumës.