ATHINË - Autoritetet në Greqi vijojnë hetimet për të zbuluar vrasjen e tifozit 29-vjeçar grek, që u ther me thikë për vdekje pranë stadiumit të AEK-ut të Athinës.
Mediat greke shkruajnë se një shqiptar është mes 5 të dyshuarve kryesorë për vrasjen. Ndërkohë 4 të tjerët janë një kroat dhe 3 grekë.
Gjatë arrestimit, shqiptarit dhe kroatit iu gjetën thika me gjak, teksa dy nga grekët e dyshuar janë huliganë të një tifogrupi, të arrestuar edhe më parë dhe me precedentë të rëndë kriminalë.
NGJARJA/ Incidentet e tmerrshme nisën mbrëmjen e së hënës vonë kur tifozët e Dinamo Zagrebit të cilët u nisën me makina nga kryeqyteti kroat mbërritën në "New Filadelfia", stadiumi i AEK-ut. Mediat vendase thonë se bashkë me huliganët e Dinamo Zagrebit jashtë stadiumit të AEK-ut ka pasur edhe tifozë të Panathinaikos dhe së bashku kanë sulmuar tifozët e AEK-ut që ndodheshin në OPAP Arena.
Organizatorët e Dinamos së bashku me tifozët e PAO, rreth 200 persona, kanë mbërritur me shpejtësi jashtë stadiumit dhe rreth orës 23:00 kanë sulmuar tifozët e AEK-ut. Ka shpërthyer një përleshje e ashpër, me bomba molotov, shkop dhe sende të tjera. Huliganët tentuan të futeshin edhe në stadium, dyert e të cilit ishin të mbyllura.
Ndërkohë në stadiumin e AEK-ut kishte përfunduar stërvitja e dy skuadrave, delegacioni i Dinamos shkoi në hotel me shoqërim policie, ndërsa zyrtarët e AEK-ut mbyllën stadiumin, por shumë tifozë përfunduan në kafenetë e zonës. Njerëzit e tmerruar mbyllën dyqanet përreth Arenës OPAP për t'u mbrojtur.
VIKTIMA/ 29-vjeçari Mixalis Katsouri u godit me thikë nga disa tifozë kroatë, teksa nga plagët e marra ka ndërruar jetë. Drama e familjes së viktimës nuk mbaron këtu, pasi e ëma e 29-vjeçarit me të marrë vesh lajmin ka pësuar një parainfarkt.
Nëna e tij u shfaq në spital me simptoma të atakut kardiak, kjo pasi mësoi lajmin e hidhur. Pas procesit tragjik të identifikimit të djalit, gruas iu shfaqën simptoma që sugjerojnë infarkt, si dhimbje gjoksi, shqetësime, tendencë për të fikët etj. Ajo do të qëndrojë në spital për arsye parandaluese.
Mësohet se viktima para se të jepte frymën e fundit ka marrë në telefon një të afërm për t’i kërkuar ndihmë për ta marrë nga vendi i ngjarjes. I afërmi i të riut fatkeq ka marrë një telefonatë nga 29-vjeçari rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 8 gusht.
Për sa i përket të plagosurve, sipas burimeve të Kryqit të Kuq në Athinë, numri i tyre është nëntë.
ARRESTIMI / Policia arrestOI 96 tifozë, mes tyre 82 kroatë, 1 austriak, 1 boshnjak, 1 shqiptar, 1 gjerman, 2 grekë. UEFA vendosi të shtyjë takimin e Conference League dhe e mori këtë vendim për normalizimin e situatës.