Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e turistit portugez 21-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Dy shtetasit turq, një vajzë dhe një djalë, të cilët u arrestuan pasi u kapën duke transportuar autorin e dyshuar, Sokrat Vatën, kanë dhënë dëshminë e tyre para hetuesve.
Sipas burimeve, ata kanë deklaruar se ishin klientë të rregullt të kompleksit “Principotes” dhe se me 29-vjeçarin kishin krijuar një marrëdhënie shoqërore. Në dëshminë e tyre kanë pohuar se e paguanin Vatën për shërbime sigurie, si truprojë dhe shoqërues personal.
Dy shtetasit turq kanë pretenduar se nuk kishin dijeni për ngjarjen e ndodhur në Ksamil dhe se e morën Vatën në automjet vetëm për shkak të miqësisë që kishin me të.
29-vjeçari Sokrat Vata u arrestua rreth pesë orë pas krimit në Levan të Fierit, ku u gjet i fshehur në bagazhin e automjetit me të cilin udhëtonin dy shtetasit turq. Ai dyshohet se vrau me thikë turistin portugez pas një konflikti të nisur në ambientet e kompleksit “Principotes” në orët e para të mëngjesit. Për ngjarjen vijojnë hetimet, ndërsa policia ka arrestuar edhe dy shtetasit turq për dyshimet se ndihmuan autorin të largohej pas krimit.
Lajmi kryesor:
Kthehet në tragjedi festa në Ksamil, punonjësi i ‘Principotes’ vret turistin portugez me thikë brenda beach-barit! Sherri për një vajzë, autori kapet pas 5 orësh në bagazhin e makinës së dy turqve (EMRAT + VIDEO)











