24-orë pas vrasjes së zyrtarit të lartë të OSHEE-së Saimir Jaku, policia ka gjetur automjetin e djegur me të cilin dyshohet se kanë lëvizur dy autoret e  kësaj ngjarje.
 
Sipas uniformave blu mjeti tip 'Benz' është gjetur i djegur mbrëmjen e së premtes në fshatin Vinjollë të Kurbinit zonë kjo e thellë malore.
 
Autoret e ngjarjes janë detyruar që të braktisin mjeti dhe më pas ti vënë flaken, pas ndjekjes që ju ka bërë policia.


Nga verifikimet e bëra deri tani, rezulton se ky mjet është denoncuar i vjedhur në vitin 2015 në Kodër -Kamëz në Tiranë, dhe është denoncuar nga pronari mjetit. 

Gjithashtu edhe targa e përdorur ishte false.
 
Në zonë janë forca të shumta  policie të cilët po ushtrojnë kontrolle, pasi autoret dyshohet se janë të fshehur në malin përreth.
 
Gjithashtu në ndihmë të policisë së qarkut të Lezhës dhe  forcave të ndërhyrjes së shpejtë të Shkodrës ka ardhur dhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme i cili po ushtron kontrolle në zonë nga ajri.
 
Pavarësisht  se operacioni vijon që prej mesditës të së premtes ende nuk është rënë në gjurmët e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë.
 
Policia ka bërë të ditur se në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar në komisariat 20 persona të dyshuar. Ata po merren në pyetje si persona që mund të kenë dijeni rreth vrasjes së 33- vjeçarit Saimir Jaku.
 
Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen po merre në pyetje edhe familjaret e viktimës për të mësuar nëse ky i fundit ka pasur konflikte.
 
Saimir Jaku u ekzekutua me breshëri plumbash në mënyre mafioze në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit, vetëm pak metra larg komisariatit të policisë.
 
Dyshimet janë për një vrasje me pagese të mirë organizur, pasi dy atentatorët të cilët kanë qenë të maskuar kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e viktimës.


d.b/shqiptarja.com