TIRANE - Xhaxhai i Nazime Vishës, Behar Visha mohon faktin që mbesa e tij të ketë dërguar mesazhe në telefonin e viktimës, 45-vjeçarit Fiqiri Muça. Në një intervistë për A1Report dhe Shqiptarja.com, vetëm një ditë pas publikimit të mesazheve telefonike nga e përditshmja Panorama, ai ka hedhur poshtë atë çka është botuar, duke u përpjekur të argumentojë se pse ishte e pamundur që Nazmie Visha, (18 vjecarja që tronditi opinionin publik shqiptar me ekzekutimin e atij që ajo e konsideronte si përdhunuesin dhe shfrytëzuesin e saj prej 4 vitesh), të kishte nisur ato mesazhe. Sipas Behar Vishës, numrat e telefonit që korespondojnë me mesazhet e botuara, janë numra të përdorur nga Fiqiriu dhe mbesa e tij s'ka patur telefon.

Z.Behar, në media janë botuar një sërë mesazhesh që Nazimja ia dërgonte Fiqiriut, cili është versioni juaj?
"Jam njohur me këtë fakt, sepse mamaja më solli gazetën. Ajo ishte për të takuar Nazimen në komisariat, i dërgoi disa ushqime dhe në kthim solli gazetat. Të gjitha mesazhet që lexoj unë këtu janë brënda datës së rrëmbimit, kur Fiqiriu kishte vajzën me vete. Edhe numrat e telefonit, janë të dy numra të Fiqiri Muçës, ka pas telefonat e vet ai. Ndoshta ja ka lënë vajzës për arsyet e tij, se si është larguar, i shkruante sms-ët dhe i kishte telefonat po vetë Fiqiru".

Ku bazoheni, kur thoni që SMS-të mund të jenë shkruar vetë nga Fiqiriu dhe jo nga Nazimja?

"Eshtë e garantuar që sms-ët e shkruar në ato 12 ditë të rrëmbimit, janë sms-t të bëra nga vetë Fiqiriu sepse mbesa ime s'ka patur telefon, në shtëpinë e vëllait të Beharit, Beqir Vishës ku ajo banonte më parë. Nga data e daljes nga rajoni, vajza ka banuar me ne dhe s'ka mundësi që t'i ketë shkruar atij "…të dua… të vi… apo të bëj ç'të duash ti. Nuk ekzistojnë këto sms, nëse i kanë le t'i nxjerrin dhe t'i faktojnë".

GRUAJA E FIQIRI MUCES KEMBENGUL: NAZIMJA FAJTORE
Në Manzë, familjarët e viktimës se vrarë nga 18 vjecarja Nazmie Visha, 45 vjecarit Fiqiri Muca tentojnë të hedhin poshtë versionin e deritanishëm të paraqitur nga ana e 18 vjecares si dhe familjarëve të saj duke dhënë një version të ri paraqitur edhe nga SMS-të e telefonit të viktimës.
Mynyre Muca, bashkëshortja e të vrarit dhe nëna e 5 fëmijëve nuk ka asnjë dyshim edhe një ditë pas funeralit. "Fajtore është Nazime Visha. Ajo më shkatërroi familjen dhe mori në qafë burrin tim".
Babai i viktimës, Zyber Muca ka rrëfyer përpara kameras së A1Report dhe për Shqiptarja.com një version të ri sipas tij, lidhur me historinë e një mardhënieje të komplikuar disavjecare të dy protagonistëve.

Sipas tij vajza ka shkuar me dëshirë të plotë me djalin e tij, madje dhe në majin e këtij viti, kur vajza ka qëndruar rreth 9 ditë me viktimën e arratisur apo e rrëmbyer. Mes njerëzve që rrinë rreth në karriget për mort, Zuber Muca flet i sigurtë dhe pa iu dridhur zëri. "Vishajt bënë kurth"
Edhe vëllai i Fiqiri Mucës, Mehdiu thotë se vrasja e vëllait të tij, ka qënë një skenar i parapërgatitur nga ana e familjërve të 18 vjecares dhe se autore e krimit nuk është Nazimeja, por të tjerë pas saj.

45 vjecari Fiqiri Muca u ekzekutua katër ditë më parë me breshëri automatike, nga 18-vjecarja Nazime Visha. Sipas dëshmive të 18 vjecares mes tyre ka patur një dramë 4 vjecare që është karakterizuar nga kërcënimet dhe përdhunime të vazhdueshme dhe që ka cuar deri në ndërmarrjen e aktit të vrasjes ne tentative per t'i shpëtuar trafikimit për prostitucion në këmbim të borxheve që u kishte viktima disa miqve të tij në Kosovë.
(gm/Shqiptarja.com)

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të Shqiptarja.com)