TIRANË - Arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së Majlinda Hoxhës dhe plagosjes së Elton Fushës. Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se, në pranga është vënë Ndriçim Balla, 33 vjeç, nënoficer pranë “Shkollës së Bashkuar”, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë mbrëmjen e 9 shtatorit në lokalin e basteve në zonën e ish-Bllokut.

Nga të dhënat e policisë është mësuar se, Balla ka dashur që të vrasë Elton Fushën pasi ky i fundit kishte pasur një sherr me vëllanë e të ndaluarit. Sherri duket se ka nisur për shkak të një borxhi që Fusha i ka vëllait të Ndriçim Ballës.

Policia ka arritur të zbardhë detajet e kësaj ngjarjeje pasi objektivi kryesor i të arrestuarit nuk ka qenë vajza e vrarë në këtë ngjarje, por Elton Fusha. Pas marrjes në pyetje, nënoficeri deklaroi se Fusha i ka një borxh të konsiderueshëm në të holla vëllait të tij dhe nuk ia kthente.

Ky, sipas të dhënave policore, është edhe motivi kryesor i ngjarjes së rëndë. Ndalimi i tij, është bërë nga efektivët e strukturave kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Polica bën të ditur se, "nga hetimet intensive të kryera dhe tërësia e provave materiale të grumbulluara nga kjo strukturë ka rezultuar se ky është autori i dyshuar i vrasjes me armë zjarri të shtetases Majlinda Hoxha, si dhe plagosjes rëndë të shtetasit Elton Fushës". Materialet procedurale do t’i referohen për veprime të mëtejshme Prokruorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, tha Policia e Tiranës.

28-vjeçarja Majlinda Hoxha u vra gabimisht gjatë atentatit, pasi ajo ndodhej e ulur në lokal bashkë me Fushën dhe një Bashkim Hoxhën, bashkëshortin e saj.
Ndërkohë që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka hartuar një plan operacional në shkallë kombëtare për rivendosjen e rendit publik.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në sajë të masave të marra u arrestuan 69 persona të akuzuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale, si dhe u plotesuan kërkesë paditë për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes në 13 raste të dhunës në familje. Të arrestuarit dyshohen për krime të ndryshme, si tentativë vrasjeje, trafik narkotikesh, vjedhje me dhunë, armëmbajtje pa leje, mashtrim, falsifikim dokumentash, e të tjerë.

Shkrimi u publikua sot (18.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)