Gjykata e Sarandës ka lënë në burg dy të arrestuarit ditën e hënë të akuzuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit.
 
Fernando Deda 27-vjeç dhe 16-vjeçari me inicialet Gj. A. akuzohen se ekzekutuan me armë zjarri vëllanë e ish-kreut të komunës Kaçinar në bashkëpunim me Eduard Gjonajn, i cili u arrestua mbrëmë.
 
Fernando Deda dhe 16-vjeçari kanë mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria.
 
Masa për 16-vjeçarin u dha në prani të psikologes.
 
Aleksandër Bardhi u qëllua me armë në Shëndëlli, ndërsa sipas prokurorisë shkoi vetë në shtëpi pas plagosjes, por rrugës për në spital ndërroi jetë.
 
Viktima është vëllai i Petrit Bardhit, ish-kryetar i njësisë administrative Kaçinar. Petrit Bardhi njihet person me precedent penal, pasi është arrestuar dy herë nga policia, për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.
 
Prokuroria po heton në dy pista; grabitje ose grindje për çështje droge.