Policia e Tiranës ka arrestuar sot rreth orës 06:00 të mëngjesit, një 50 vjeçar të shpallur në kërkim, pasi dyshohet si i përfshirë në vrasjen e 27 vjeçarit Blerim Metaliaj, si dhe plagosjen e të atit dhe vëllait të viktimës, ngjarje kjo e ndodhur një muaj më parë në qytetin e Bajram Currit.
 
Në pranga të policisë ka rënë Petrit Byberi lindur në Shoshan-Tropojë dhe banues në Tiranë. Byberi akuzohet se më 11 gusht të këtij viti, është përfshirë në vrasjen me armë në mes të qytetit të Blerim Metaliajt dhe plagosjen e dy pjestarëve të tjerë të familjes së tij.
 
Sipas policisë së Tropojës, për krimin në fjalë ishin 4 persona që  kishin qëlluar në drejtim të familjes Metaliaj, të katërt nga fisi Byberi. 
 
Në ditën e krimit, policia arrestoi dy vëllezërit e dyshuar Cen dhe Isa Byberi, rreth 70 vjeç, të dyshuar si ndihmës të autorit të krimit, ndërsa u shpallën në kërkim dy fëmijët e tyre.  Efektivët blu bënë të ditur më 11 gusht se për krimin po hetohet në dy pista. Atë të një zënke mes familjes Metaliaj dhe Byberi për pronat si dhe një të sherri të ndodhur gjatë punës së 53-vjeçarit Rexhep Metaliaj, me detyrë elektriçist, pasi u kishte shkëputur energjinë elektrike familjes Biberaj. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)