Gjykata Apelit Tiranë ka lënë në fuqi masën detyrim paraqitje për Ervin Matën, i përfshirë në ngjarjen e 5 Tetorit në ish-Bllok. Mata u vetëdorëzua rreth një muaj më parë, ndërsa u la i lirë nga Shkalla e Parë, masë e konfirmuar edhe sot nga Apeli. Prokurorët e dosjes ankimuan vendimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar burg për 32-vjeçarin, por sot Gjykata Apelit rrëzoi kërkesën e Prokurorisë, duke e lënë në detyrim paraqitje. Hetimet për Matën janë për vrasjen e ndodhur në zonën e ish-Bllokut në lokalin "Monopol" ku humbi jetën Fabiol Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe një nga shokët e tij, Eljon Hata.
Ish-komando Merviol Bilo i cili mendohet se vrau Gaxhën është ende në arrati. Sipas Prokurorisë autori, truprojë i Ervin Matës, nuk kishte asnjë konflikt të drejtpërdrejtë me viktimën Fabiol Gaxha, dhe të gjitha veprimet e Billos kanë qenë të ndikuara nga Mata. Ervin Mata, i fejuari i këngëtares Elvana Gjata, u dorëzua 1 mars në Policinë e Shtetit, pasi ishte në kërkim që prej 5 tetorit 2018 për vrasjen në ish Bllok. Avokati i Ervin Matës është shprehur se klienti i tij u sulmua dhe nuk shkoi të konfliktohej me palën tjetër. Ervis Martinaj edhe pse mbeti i plagosur ndodhet në burg për armëmbajtje pa leje, ndërsa Eljon Hato është liruar nga gjykata pas një garancie pasurore.