SHKODER - Gjovalin Guri është shpallur në kërkim për vrasjen e kushëririt të tij, Zef Guri dhe plagosjen e të birit, Gjinit të ndodhur rreth orës 18:20, në aksin rrugor Kir-mali i Shoshit. 

Policia e Shkodrës ka zbardhur në kohë rekord atentatit me një viktimë e një të plagosur në malin e Shoshit në Dukagjin.

Anëtarë të të njëjtit fis, autori me viktimën dhe të plagosurin ishin në konflikte të vazhdueshme për lëndën drusore dhe jo për kanabisin siç u raportua një ditë më parë.

Drejtori i policisë së qarkut të Shkodrës, Ervin Hodaj bëri të ditura sot detajet e hetimit.

"Për ngjarjen e ndodhur më datë 27.09.2023, rreth orës 18:20, në aksin rrugor Kir-mali i Shoshit, ku u vra me armë zjarri shtetasi Z. G., 73 vjeç dhe u plagos rëndë djali i tij, shtetasi Gj. G., të cilët po udhëtonin me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, kreu një sërë veprimesh në funksion të zbardhjes së ngjarjes. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Gj. G., i cili është shpallur në kërkim nga DVP Shkodër edhe për vepra të tjera penale.   

Motivet e kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë konfliktet dhe kanosjet e vazhdueshme me palën e dëmtuar, për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave dhe sipërfaqeve pyjore në zonë'  tha  Ervin Hodaj

Forcat RENEA janë në kërkim të autorit i cili dyshohet se është fshehur mes maleve. 

"Për kapjen e shtetasit Gj. G., janë angazhuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Reparti Special “RENEA” dhe Njësia Alpine. Aktualisht vijojnë kontrollet në zonat e thella të Dukagjinit"  tha drejtori  Ervin Hodaj.

Po kështu është zbardhur vrasja e Valter Fjerzës, ngjarje e ndodhur një javë më parë në fshatin Hot i Ri. Është arrestuar një prej autorëve dhe 4 të tjerë janë në kërkim. Sherri mes vëllezërve Fjerza dhe kushërinjve Mëhilli, fqinj me njëri tjetrin ka nisur per nje vend parkimi.  

“Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, është bërë i mundur dokumentimi i kësaj ngjarjeje, për të cilën është arrestuar 1 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë”.  

Hodaj theksoi se gjatë këtij vitin në Shkodër është ulur kriminaliteti.

“Kanë ndodhur 5 vrasje në krahasim me 9 vrasje të ndodhura gjatë 9-mujorit të vitit 2022, si dhe 3 raste të vrasjeve të mbetura në tentativë, në krahasim me 10 vrasje të mbetura në tentativë gjatë 9-mujorit të vitit 2022”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:02
Nga vrasja në Dukagjin tek kanabisi, Policia Shkodër bën ‘bilancin’: Në 9 muaj kanë ndodhur 5  vrasje! Janë asgjësuar 196 mijë bimë kanabisi nga 132 raste kultivimi

 

Vrasja e Zef Gurit dhe plagosja e djalit të tij, pas disa konflikteve për shfrytëzimin e pyjeve ka ‘ngritur në këmbë’ Policinë e Shkodrës, e cila përveç detajeve rreth ngjarjes ka zbuluar edhe ‘bilancin’ e 9 muajve, ku konstatohet ulje e veprave penale kundër personit në krahasim me një vit më parë.

Drejtori i Policisë së Shkodrës, Ervin Hodaj, doli në një deklaratë për median për të dhënë detaje nga zbardhja e krimit që tronditi Shkodrën, ku zbuloi gjithashtu se përgjatë 9 muajve të këtij viti ka një rënie të dukshme të veprave penale kundër personit krahasuar me një vit më parë.

Nga janari në shtator, kanë ndodhur 5 vrasje në krahasim me 9 vrasje të ndodhura gjatë 9-mujorit të vitit 2022, si dhe 3 raste të vrasjeve të mbetura në tentativë, në krahasim me 10 vrasje të mbetura në tentativë gjatë 9-mujorit të vitit 2022.

Po ashtu, në vazhdën e megaoperacionin antikanabis “Alpe të pastra”, janë asgjësuar 196 742 bimë dhe fidanë kanabisi, nga 132 raste kultivimi.

Janë marrë masa për të gjitha shkollat, në bashkëpunim me stafet pedagogjike dhe me oficerët e sigurisë, për vendosjen e perimetrit të sigurisë, ku vetëm një javë më parë është goditur një rast i tentativës për të shitur lëndë narkotike në perimetrin e sigurisë së një shkolle të mesme, nga një 21-vjeçar, i cili është vënë në pranga.