TIRANË - Xhevahir Brasha, 42-vjeçari i cili u qëllua me breshëri automatiku mbrëmjen e së mërkurës para banesës së tij, dyshohet të ketë pasur konflikte në Londër. Burime nga policia kanë bërë me dije se Brasha babai i tre fëmijëve, rezulton se prej 20 vitesh ka jetuar në Londër. Pista kryesore ku edhe është fokusuar Policia e Durrësit për të zbardhur vrasjen e 42-vjeçarit, është një konflikt i ndodhur në Angli mes viktimës dhe disa personave të tjerë. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se po hetohet një konflikt i hershëm që 42-vjeçari ka patur në kryeqytetin britanik me disa bashkëfshatarë të tij nga Hasi. Ndërkohë, të njëjtat burime theksuan se nuk përjashtohet as mundësia e përfshirjes e viktimës në ndonjë aktivitet të paligjshëm në Londër. Këto dyshime janë ngritur për shkak se 42-vjeçari njihet me dy emra, Xhevahir Brasha dhe Agim Cakaj.

Konflikti
Mësohet se konflikti kohë më parë ka degraduar në dhunë fizike mes palëve dhe sipas informacioneve paraprake që disponon grupi hetimor, rezulton se viktima i kishte prerë veshin njërit prej personave me të cilët kishte konflikt. Policia bën me dije se mosmarrëveshjet mes palëve kanë qenë të vazhdueshme edhe gjatë viteve të fundit. Rezulton se personat e palës tjetër janë identifikuar nga policia dhe po punohet për t’i shoqëruar dhe për t’i marrë në pyetje. Në vrasjen e  Xhevahir Brashës policia nuk përjashton mundësinë që të jenë përdorur edhe vrasës me pagesë. Ndërkohë, burime nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se për të zbardhur të plotë ngjarjen është kërkuar edhe bashkëpunim nga autoritetet britanike, të cilave iu janë kërkuar të dhëna mbi veprimtaritë e kryera nga 42-vjeçari, Xhevahir Brasha.

Ngjarja
Në drejtim të Xhevahir Brashës janë lëshuar plot 13 plumba automatiku, ku tetë prej tyre kanë prekur trupin e 42-vjeçarit çka i shkaktuan më pas edhe vdekjen. Ky i fundit, mësohet se ishte duke shkuar në shtëpinë e tij me automjetin tip “Benz”, me targa AA 295 LA. Pasi kanë qëlluar në drejtim të tij, autorët që dyshohet se lëviznin me një tjetër automjet janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë të plagosur rëndë shenjestrën e tyre. Kanë qenë familjarët, që sapo kanë dëgjuar të shtënat kanë dalë jashtë, ku kanë gjetur të plagosur rëndë të afërmin e tyre. Pavarësisht ndihmës së shpejtë, Xhevahir Brasha ka ndërruar jetë me të mbërritur në spital, duke mos i mbijetuar 8 plagëve të marra në trup.

Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe konfliktet e mundshme që 42–vjeçari me origjinë nga Hasi, kishte me persona të tjerë, policia tha se ka shoqëruar rreth 38 persona. Nga dëshmitë e familjarëve, policia sqaron se Brasha ka qenë emigrant prej 20 vitesh në Angli dhe vetëm para pak kohësh ishte kthyer në banesën e tij në fshatin Fllakë. Në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi 13 gëzhoja kallashnikovi model 56, si dhe automjetin tip “Benz” të viktimës, me qëllim sigurimin e provave të cilat do të çojnë drejt identifikimit të autorëve të krimit të rëndë.


Redaksia Online
(E.Ç.çshqiptarja.com)