Liljana Rukaj, 42-vjeçarja nga Fieri, e cila humbi jetën mesditën e të shtunës, kur pas një debati me bashkëshortin, ky i fundit e hodhi nga dritarja e tualetit të katit të katërt të apartamentit, kishte marrë urdhërmbrojtje nga gjykata. 

Denoncimi në polici i bashkëshortit për dhunë ishte pikërisht shkaku i debatit mes çiftit, që u pasua me ngjarjen tragjike. është pikërisht bashkëshorti i saj, Ferdinand Rukaj, i cili teksa ka pranuar krimin, ka rrëfyer edhe motivin e debatit të fundit. Dy muaj më parë, 52-vjeçari kishte dhunuar bashkëshorten dhe kjo e fundit kishte bërë denoncimin në polici dhe gjykata kishte caktuar urdhërmbrojtje. 

Pavarësisht kësaj çifti vijonte të jetonte në të njëjtën banesë. Debati i së shtunës ka rezultuar fatal për gruan, teksa burri i saj e hodhi nga dritarja e tualetit, madje edhe të zhveshur. Ajo gjeti vdekjen rrugës për në spital. 

Sot, trupi i pajetë i 42-vjeçares Liljana Rukaj është përcjellë për në banesën.

Ndërsa familja e saj, në njoftimin për vdekjen, kishte vendosur mbiemrin e vajzërisë, Zhezha dhe jo Rukaj. 
ferdidnand liljana fier pallati
(Autori Ferdinand Rukaj dhe viktima Liljana Rukaj)

Ngjarja
Një ditë më parë, nëna e dy fëmijëve, Liljana Rukaj u hodh nga bashkëshorti i saj nga dritarja e tualetit në katin e katërt të banesës. Ferdinand Rukaj ka pranuar autorësinë e krimit përpara policisë, duke deklaruar se gjithçka e ka bërë në kushtet e gjaknxehtësisë. 

Ai ka pranuar gjithashtu se me bashkëshorten kishte konflikte dhe se ajo e ka kallëzuar në polici për ushtrim dhune. 

Fqinjët e çiftit Rukaj nuk pranojnë të flasin për ngjarjen, duke iu shmangur kontakteve me median, por dy gra kanë qenë dëshmitare të krimit, kur Ferdinand Rukaj hodhi nga dritarja bashkëshorten e tij, Liljana Rukaj. Ato thanë dje për Shqiptarja.com se janë të shokuara për ngjarjen, ndërsa treguan edhe momentin kur e gjetën poshtë pallatit fqinjen e tyre, Liljanën, në gjendje kritike për jetën. Edhe pse u transportua menjëherë në drejtim të spitalit, ajo humbi jetën rrugës. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com