FIER- Prokuroria ka nisur procedimin penal ndaj gjyqtarit që dha urdhrin e mbrojtjes për Liljana Rukajn, e cila u vra nga burri i saj.
 
Ergys Selmani akuzohet se në shkelje të ligjit ka neglizhuar zbardhjen dhe dërgimin në kohë institucioneve përgjegjëse të vendimit për urdhrin e mbrojtjes së gruas.
 
Përpos Ergys Selmanit është proceduar penalisht për shpërdorim detyre edhe kryetarja e zyrës përmbarimore në Fier, Lindita Shalianji.

36-vjeçarja gjatë deklarimit në polici pretendoi se e kishte vendimin, por nga këqyrja e protokollit rezultoi se nuk e kishte regjistruar atë.
 
Gjithashtu po në lidhje me zbatimin e vendimit nuk ka kryer asnjë veprim përmbarimor për ekzekutimin e vendimit të urdhërit të mbrojtjes, sipas pretendimit se e posedonte atë.
 
Report TV e Shqiptarja.com kanë siguruar Urdhrin e Mbrojtjes së lëshuar nga Gjykata e Fierit për 43-vjeçaren Liljana Rukaj që humbi jetën pak ditë më parë, pasi bashkëshorti e hodhi nga dritarja e katit të katërt të banesës së saj.
 
"Ferdinand Rukaj nuk duhet t’i afrohej më shumë se 2 metër bashkëshortes së ti, Liljana Rukaj".
 
Gjykatësi i Fierit, Ergys Selmani e ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes ndaj 43-vjeçares në datën 25 nëntor 2016, por ka neglizhuar në zbardhjen e tij.
 
Vonesa e dërgimit të vendimit që solli mos zbatimin e tij, solli edhe vrasjen e Liljana Rukajt nga burri, Ferdinand Rukaj para tre ditësh në Fier.
 
Hetimin e gjyqtarit dhe zbardhjen e ngjarjes e kanë kërkuar edhe ministrat Manjani dhe Tahiri, por edhe deputetja e PD, Bregu.
 
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u shpreh se pas denoncimit, policia ka bërë strehimin e saj në banesën e të vëllait të saj, ndërsa urdhri i gjykatës nuk është dërguar në polici dhe për këtë përgjegjësit duhet dënohen.
 
Edhe Manjani deklaroi se duhet një hetim i thellë për të vendosur përgjegjësit para ligjit, ndërsa Majlinda Bregu i kërkoi Presidentit nisjen e inspektimit për gjyqtarin.

dy.b/shqiptarja.com