TIRANE-"Ferdinand Rukaj nuk duhet t’i afrohej më shumë se 2 metër bashkëshortes së ti, Liljana Rukaj". Report TV e Shqiptarja.com kanë siguruar Urdhrin e Mbrojtjes së lëshuar nga Gjykata e Fierit për 43-vjeçaren Liljana Rukaj që humbi jetën pak ditë më parë, pasi bashkëshorti e hodhi nga dritarja e katit të katërt të banesës së saj.

Gjykatësi i Fierit, Ergys Selmani e ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes ndaj 43-vjeçares në datën 25 nëntor 2016.

Në Urdhrin e Mbrojtjes së Gjykatës thuhet se Liljana Rukaj kërkon mbrojtje pasi bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë në vazhdimësi. Sipas vendimit të gjykatës bashkëshorti i Liljanës, Ferdinand Rukaj cënon integritetin e saj dhe të fëmijëve të saj, fizik, psikologjik dhe social. Gjithashtu në këtë urdhër saktësohet se Ferdinand Rukaj nuk duhet t’i afrohej më shumë se 2 metër bashkëshortes së tij, ndërkohë që në banesë sipas urdhrit do jetonte Liljana bashkë me dy fëmijët e saj. Po kështu Ferdinand Rukaj duhet të paguante një detyrim ushqimor prej 27 mijë lekë të reja për të dy fëmijët.

Në urdhërin e mbrojtjes të siguruar nga Report Tv zbulohet edhe debati i fundit që ka ndodhur mes çiftit në 4 nëntor.

Pas një konflikti për gjendjen ekonomike në familje Ferdinandi e ka dhunuar Liljanën, në sy të fëmijëve dhe ajo më pas ka bërë denoncim në Polici.
Pavarësisht se vendimi i Gjykatës përcakton qartë se Ferdinand Rukaj përbente një rrezik për gruan e tij, ata vijonin të jetonin në të njëjtën banesë.

Vendimi i Gjykatës i është dërguar edhe policisë së Fierit, por ende nuk dihet nëse është zbatuar.

Një ditë më parë, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani deklaroi se do të nisë një hetim administrativ për çështjen dhe gjyqtarin që ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes ndaj gruas edhe pse burri dhunuesi, qëndronte në shtëpi bashkë me të, në kundërshtim me urdhrin në fjalë.

I kontaktuar nga ‘Report TV’, kryetari i Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj tha se ishte njohur me deklaratat e ministrit Manjani vetëm nëpërmjet mediave dhe nuk ka asgjë komunikim zyrtar lidhur me këtë çështje. Jaupaj theksoi se gjykata i referohet vetem shkresave zyrtare.

Ndërkohë pavarësisht se mori Urdhër Mbrojtje, Liljana Ruka është vrarë nga bashkëshorti ditën e shtunë. Pasi një sherri banal, ai e ka hedhur gruan e tij nga kati i katërt, madje te zhveshur dhe ajo ka gjetur vdekjen rrugës për në spital.

urdheri mbrojtjes rukaj

drafti
(Faksimile nga Urdheri i Mbrojtjes)

Redaksia Online
d.b/Al.N/Shqiptarja.com