SHKODER- Policia e Shkodrës thotë se është pranë zbardhjes së vrasjes që tronditi mëngjesin e djeshëm qytetin e Shkodrës.

Aleksandër Qarri (foto) mbeti i vrarë mëngjesin e djeshëm (20 nëntor) pranë bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi" në Shkodër. Nga plumbat e automatikut mbetën të plagosur dhe 2 kalimtarë, Lec Ndoc Marku, 37 vjeç dhe Agustin Begea, student i universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Korrespondeti ynë i Tv A1 Report, Admir Agolli informon se mes të shoqëruarve që janë bërë gjatë ditës së djeshme mendohet se është dhe personi i dyshuar si autor i vrasjes.

Policia thotë se 99 % ai është autori i vrasjes, pasi është identifikuar edhe nga dëshmitarët,por presin analizat balistike të armës që do të vijnë nga Tirana të heqin çdo dyshim të mundshëm.

PAS VRASJES FSHIHET NJE HISTORI GJAKMARRJEJE
Policia dyshon se as Aleksandër Qarri i cili u ekzekutua nga plumbat e automatikut as 2 kalimtarët nuk kanë qenë objektiv të vrasjes. Mendohet se një person tjetër, i cili po ecte në krah me Lek Ndoc Markun, kalimtarin e plagosur ka qenë objektiv i atentatit. Policia thotë se djali i xhaxhait i 37 vjeçarit nga fshati Mazrek i komunës Gur i Zi, ishte objekt i atentatit, pasi kjo familje ishte në gjak. Marrja në pyetje e Lek Markut dhe personit që ka qenë me të ka bërë që të ndryshojë tërësisht rrjedha e ngjarjes.  Gjatë ditës së djeshme mendohej se Aleksandër Qarri ishte objektiv i vrasjes. Ai ishte goditur me 5 plumba automatiku. Sipas dëshmitarëve autori kishte qenë i veshur si peshkatar. 

I ARRESTUARI SANDER V

I arrestuari është Sandër. V. momentalisht ndaj tij është ngritur vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. Nga ana e tij ai mohon krimin. Por policia thotë se personi është në hasmëri me fisin Marku nga Guri i Zi. Objektiv mund të ketë qenë dhe Lekë Marku, por policia thotë se nga hetimet objektiv ka qenë djali i xhaxhait.
(sg/shqiptarja.com)