VLORE-  Dy vajzat 3 dhe 7 vjeçe, të cilat u bënë dëshmitare të një krimi të tmerrshëm si ajo e vrasjes me sqepar të nënës së tyre, shtatzënë janë të tronditura psikologjikisht. I ati tyre, Shpëtim Çeliku u arrestua si autor i këtij krimi të rëndë. Vajzat e vogla, aktualisht ndodhen në shtëpinë e fëmijës dhe drejtoresha Olta Ganaj pohon se fëmijët edhe pse erdhën në një gjëndje të rënde psikologjike aktualisht janë më të qetë. Kjo falë dhe kujdesit të psikologëve.

Të përditshmet shqiptare shkruanin sot se vajzat kishin fjetur me të ëmën të vdekur ndërsa i ati i kërcënonte të mos qanin me zë, të mos dilnin jashtë sepse do i rrihte.

Krimi makabër ndodhi mbrëmjen e të djelës, ndërsa 34-vjeçari Shpëtim Çeliku a denoncoi ngjarjen si vrasje, duke krijuar një alibi për të përjashtuar autorësinë e tij.

Sipas policisë, Shpëtimi kishte të paktën 2 ditë që e dhunonte dhe e rrihte të shoqen, derisa mbrëmjen e të djelës e ka masakruar atë me sqepar, për motive xhelozie. Manushaqja ishte shtatzënë në muajin e 6-të, ndërkohë që as vajza 3 vjeçe nuk ishte regjistruar në gjendjen civile. Dy vajzat Xh. Çeliku dhe A.Çeliku, 7 dhe 3 vjeçe, janë dërguar në jetimoren e Vlorës, ku janë marrë në kujdesin e personelit të shtëpisë së fëmijës, deri në gjetjen e një zgjidhjeje për kujdestarinë e tyre.

Redaksia online
(axh/sg/shqiptarja.com)