TIRANE- Mbyllen hetimet për vrasësin Aldo Hoxha, i cili në tentativë grabitje masakroi Fatbardha Tafën. Prokuroria e Tiranës ka depozituar në gjykatë dosjen, e cila pritet që të bëhet pjesë e shortit elektronik. Aldo Hoxha është një emër i njohur në botën e krimit, i dënuar më parë për grabitje dhe armëmbajtje pa leje.

Ditën e ngjarjes viktima po udhëtonte së bashku me motrën e saj, Lumturi Gjana, kur janë sulmuar nga dy të rinj, që kanë tentuar t'i marrin varësen e floririt. Fatbardha ka reaguar, madje për një çast ka neutralizuar autorin, duke e vendosur pas murit, por në këtë moment është qëlluar nga autori tjetër me thikë.

Porva e parë që ka zbuluar idnetitetin e autorit ka qenë kapelja që mbante Aldo Hoxha në kokë. Kjo kapele ishte në bagazhin e makinës së bashkëshortit të Lumturi Hoxhës. Ai shkoi me makinë në vendngjarje dhe mori të shoqen dhe fëmijët të cilët morën edhe sendet personale që u kishin rënë në vendngjarje. Pasi la të shoqen në spital, burri i Lumturie Gjanës dërgoi fëmijët në shtëpi mbrëmjen e 7 gushtit. Të nesërmen sapo hap furgonin, ai sheh se një kapele kishte mbetur në makinë. Ai pyeti fëmijët, të cilët i thanë se kapela nuk ishte e tyre. Menjëherë sendi i marrë nga vendngjarja është dërguar në polici. Ekspertët gjetën brenda në kapele një fije floku, e cila pas identifikimit të Aldo Hoxhës nga dëshmitarja u përputh me 20-vjeçarin, ashtu si edhe mostrat e djersës. Kapela kishte në qoshen e saj edhe një gjurmë gjaku, e cila rezultoi se i nuk përkiste Fatbardha Tafës. Një provë e rëndësishme për prokurorinë ka qenë edhe dëshmia e një 50-vjeçare, e cila ka parë skenë e krimit. Dëshmitarja ka veçuar fotografinë e 20-vjeçarit Aldo Hoxha, duke thënë se ai person ka qenë në vendngjarje dhe ka qëlluar pesë herë me thikë 37-vjeçaren.

Në kohën kur dëshmitarja po i jepte këto pohime, i dyshuari për ngjarjen, Aldo Hoxha, ishte lënë i lirë pas shoqërimit dhe marrjes së gjurmëve dhe fotografisë. Ai madje u la në liri për 72 orë për t'u vënë në pranga më 11 gusht, katër ditë pas ngjarjes së ndodhur tek ish-Fusha e Aviacionit.

(sg/shqiptarja.com)