Ekuadori po përjeton një krizë dhune dhe pasigurie. Çdo ditë po shtohen masakrat në burgje, vrasjet me pagesë që lidhen me trafikun e drogës dhe grabitjet e dhunshme.
Në disa qytete të Ekuadorit, konkretisht në Guayaquil, Durán dhe Samborondón, ka porte detare ku janë zbuluar dërgesa droge të fshehura në kontejnerë, 86% e krimeve ndodhin për shkak të konflikteve mes bandave që trafikojnë drogë, 8% për shkak të dhunës ndërpersonale dhe 6% për grabitje. Këtyre përqindjeve i shtohen edhe viktimat, të cilat vdesin ose plagosen duke qenë në vendet ku ka dhunë. Një prej rasteve është një i mitur që mori një plumb qorr pas një tentative sulmi në autobusin e shkollës me të cilin udhëtonte.
Skenari i parë, i krimeve mes bandave që merren me trafik droge tregon akte makabre që nuk janë parë më parë, si prerje kokash, kufoma të varura në ura, dronë me eksploziv.
Rastet e vrasjeve me pagesë dhe vrasjeve me dashje janë rritur në pesë muajt e parë të vitit 2022 me 147% krahasuar me një vit më parë. Deri në maj janë numëruar 577 vdekje të qëllimshme. 80% e këtyre vrasjeve janë të përqendruara në lagjet ku policia ka zbuluar shitblerjen dhe transportin e drogës, ndaj vrasjet ia atribuon sherreve mes bandave apo ekzekutimeve.
Koloneli në shërbimin pasiv të Forcave të Armatosura, Alberto Molina , është dakord me versionin e qeverisë dhe tha për El Universo se rritja e vrasjeve ndodh në të njëjtën kohë që janë shtuar edhe rastet e trafikut të drogës. Deri më tani këtë vit, autoritetet kanë sekuestruar 90 ton drogë, më shumë se dyfishi i vitit 2021.
Sipas Molinës, në Ekuador ka banda kriminale si karteli Jalisco New Generation dhe karteli Sinaloa, përveç mafias italiane, shqiptare dhe kineze.
Sipas hetimeve të shumta gazetareske, Guayaquil është kthyer në qendër të konfrontimit mes bandave shqiptare që kërkojnë të kontrollojnë linjat e trafikut të kokainës. Në dekadën e fundit ka pasur tashmë të paktën gjashtë shqiptarë të ekzekutuar. Të gjithë kanë pasur lidhje me trafikun e drogës. E fundit nga këto ekzekutime ndodhi në një restorant në Guayaquil ku u qëllua bosi shqiptar i drogës Ergys Dashi.
Në qytetin port të Ekuadorit ka një luftë midis karteleve kolumbiane, meksikane, shqiptare dhe ruse që konkurrojnë për tregun fitimprurës evropian. Mafia shqiptare lidh aleanca me kartelin Sinaloa, i cili gjithashtu ka qenë i lidhur me Choneros, një bandë kriminale ekuadoriane që fajësohet për gjakderdhjet në burgjet e vendit.
Ndikimi i mafies shqiptare në Amerikën Latine shihet në dërgesat që shkojnë drejt Durrësit, ku në një prej rasteve është sekuestruar më shumë se një ton kokainë e fshehur në kuti bananesh. Droga që niset nga Guayaquil, zakonisht fshihet në kontejnerë pasi Ekuadori është një nga eksportuesit më të mëdhenj të bananeve në botë, shkruan Yalile Loaiza.
Ardhja e shqiptarëve në Ekuador daton në fillim të viteve 2010. Shumica e tyre jetojnë në Guayaquil me identitete të rreme. Shqiptarët dhe mafia ballkanike besohet se kanë fituar ndikim në tregtinë ndërkombëtare të drogës. Kjo përkon me një hetim të kryer nga media dixhitale “Plan V” e Ekuadorit, e cila në vitin 2019 zbuloi tashmë operacionin e mafies shqiptare në vend.
Sipas hetimeve, grupet kriminale shqiptare kanë mbërritur në vend nga viti 2014 deri në 2015. Ata janë tërhequr nga mundësia për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me kartelet e Kolumbisë, Bolivisë, Venezuelës, ndër të tjera. Përveç kësaj, Ekuadori është konsideruar si një vend i pambrojtur i rrënuar nga korrupsioni, i cili u lejon anëtarëve të këtyre mafieve të blejnë dokumente mashtruese, si karta identiteti dhe pasaporta.
Sipas Molina për El Universo, këto organizata kriminale kanë vepruar në vend për të paktën 15 vjet dhe janë vendosur në Ekuador.