Gjykata e krimeve të Rënda ka shtyrë sot vendimin përfundimtar për “Bandën e tritolit” ndërkohë që trupi gjykuyes ka kërcënuar avokatët se nëse vijojnë zvarritjen e procesit do të zëvendësohen me avokatë kryesisht.

Shkak për këtë është bërë mungesa e avokatëve të të akuzuarve, ku i akuzuari kryesor është Julian Sinanaj.

Sipas trupit gjykues, mungesa e avokatëve ka bërë që procesi të zvarritet herë pas here, por nëse ata vijojnë me të njëjtin ritëm mund të zëvendësohen me avokatë kryesisht.

Kjo nuk është hera e parë që vendimi shtyhet, pasi e njëjta gjë ndodhi edhe më 26 maj. 

Gjykata ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 14 korrik.

Për bandën e tritolit u kërkuan në total dy burgime të përjetshme dhe 85 vite burg, ku Prokuroria kërkoi 35 vite për Julian Sinanaj, ç’ka nënkupton se ai nuk është konsideruar bashkëpunëtor i drejtësisë.

Dy prej porositësve të ekzekutimeve, kushërinjve vlonjatë Andon dhe Genis Mhilli,u kërkua burg përjetë.
 
Për Marjon Mitro, porositësi i bombës së gjetur poshtë makinës së ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, organi i akuzës kërkoi 26 vjet heqje lirie, për furnizuesin me armë Albin Merxhaj 11 vjet burg,

Dënimi me i lehtë me 5 vite burg u kërkua për Ilir Karçinin i dyshuar si porositës për ekzekutimin e një biznesmeni të gazit.
 
Fale bashkepunimit me drejtësinë ka përfituar dhe bashkëpunëtori i Sinanajt, Ndriçim Gjokona, për të cilin prokuroria kërkoi 8 vjet heqje lirie.

35 vite burg për Julian Sinanaj
Burg përjetë për Andon dhe Genis Mëhillajn
26 vite burg për Marjon Mitro
5 vite burg për Ilir Karçinin
11 vite burg për Albin Merxhaj
8 vite burg për Ndriçim Gjokona

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)