KORÇË-Dënohet nga Gjykata e Korçës me 12 vite burg Fabian Mucollari. I riu do të vuajë dënimin për vrasjen e ndodhur në 20 shtator në një prej lokaleve në qendër të qytetit të Pogradecit, ku mbeti i vrarë Fabio Hila.

Prokuroria kishte kërkuar 24 vite burg për tre akuza: Vrasje në rrethana cilësuese, armëmbajtje pa leje dhe plagosje e rende me dashje.
 
Nga aplikimi i gjykimit te shkurtuar, i akuzuari përfitoi uljen e 1/3 së dënimit dhe kërkesa përfundimtare e Prokurorisë ishte 18 vite burg të cilës i zbritet 1/3 e dënimit, si përfitim nga gjykimi i shkurtuar. Mucollari përfundimisht u dënua me 12 vite burg.
 
Ngjarja e rëndë u regjistrua në Pogradec ku Fabio Hila u vra me breshëri plumbash nga bashkëmoshatari i tij Fabian Mucollari 17-vjeç për shkak të sherrit për një femër.
 
Fabian Mucollari pranoi krimin dhe shfaqi pendesë, por një gjë e tillë nuk do ta shpëtojë nga burgu, ndërsa rruga e kthimit për në shtëpi e të riut do të jetë e gjatë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com