DURRES - Është arrestuar pas rreth një viti Leonard Tragaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e dy personave në Golem. Tragaj ishte shpallur në kërkim pasi më 25 korrik në një zonë plazhi të mbipopulluar në Golem, qëlloi me armë ndaj Sulemajn Shehut 49 vjeç e Durim Pashallarit 50 vjeç duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa mbetën të plagosur edhe Erjon Shehu dhe nëna e tij Beglie.

Ngjarja ndodhi gjatë sezonit veror, pranë kompleksit turistik “Mak Albania” dhe shkak i saj ishin konfliktet e pronësisë. Në kohën kur ndodhi krimi i dyfisht, i afërmi i Leonardit, Ardian Tragaj u vetëdorëzua, ndërsa nuk dihet ende roli i tij në ngjarje pasi ky person është në hetim.

Arrestimi i Leonard Tragaj, 33 vjeç u krye në zbatim të Urdhrit të Ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Kavajë, i cili akuzohet për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve. 33-vjeçari është banor i qytetit të Durrësit, i akuzuar edhe më parë për vepra penale kundër personit.

Ndërkaq, përmes një njoftimi për shtyp Policia e Durrësit sqaron se ndërhyrja për kapjen e Leonard Tragaj, u krye mesditën e sotme në lagjen Numër 13, Plazh dhe u finalizua me kapjen e tij.

Ndaj 33-vjeçarit Leonard Tragaj rëndojnë akuzat për veprat penale "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese", "Vrasje e mbetur në tentativë" dhe "Armëmbajtje pa leje".

VRASJA E DYFISHTE NE VERE TE 2012-ës
Në atë kohë policia deklaroi se fillimisht konflikti nisi mes shtetasve Durim Pashallari, roje i objektit ku ndodhi ngjarja (objekt i cili është në pronësi të shtetasit Ardian Traga) dhe Sulejman Shehu, punonjës i një Shoqërie të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike në Tiranë. Ndërkohë në këtë konflikt janë përfshirë edhe shtetasit Erjon dhe Begle Shehu (kjo e fundit bashkëshortja e Sulejman Shehut), vëllezërit Ardian, Emiljano dhe Erjon Traga, si dhe dy djemtë e Sulejman Shehut, aktualisht te ndaluar nga Policia. Konflikti ka përfunduar me të shtëna armësh dhe me pasoja sa sipër”

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)