Zbardhen detaje të reja nga hetimet për vrasjen e 21-vjeçarit Johan ZukoKorçë. Autori Kristjan Sterjo, i cili u kap pas rreth 6 orësh arrati, ka dhënë dëshminë e tij përpara grupit hetimor lidhur me motivin e ngjarjes së rëndë. Sipas dëshmisë së tij, konflikti mes dy të rinjve lidhej me disa episode të mëparshme, ndërsa një nga shkaqet që dyshohet se ka çuar në përshkallëzimin e situatës ka qenë ngacmimi i të dashurës së autorit të dyshuar.

Por, krahas këtij konflikti, hetuesit po marrin në konsideratë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve, të cilët dyshohet se kishin pasur debate për shkak të pretendimeve se kush ishte “më i forti” i lagjes. Sipas të dhënave të deritanishme nga hetimi, autori i dyshuar dhe viktima ishin konfliktuar verbalisht disa ditë përpara ngjarjes. Dyshohet se të dy palët kishin pasur përplasje dhe ngacmime ndaj njëri-tjetrit, duke bërë që marrëdhënia mes tyre të përshkallëzohej.

Situata më pas do të merrte një tjetër përmasë. Sipas dëshmisë së autorit, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe ka shkuar në ndjekje të 21-vjeçarit, ndërsa e ka qëlluar me një plumb pas shpine, që rezultoi fatal për jetën e Johan Zukos.

Konflikti, i cili dyshohet se kishte nisur për motive të dobëta, duke filluar nga pretendimet se kush konsiderohej “i forti” i lagjes, më pas është shoqëruar me ngacmime, sharje dhe përplasje të vazhdueshme mes dy të rinjve. Përplasja përfundoi tragjikisht me vrasjen e 21-vjeçarit Johan Zuko, ndërsa Kristjan Sterjo u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua rreth 6 orë më vonë nga forcat e policisë në afërsi të banesës së tij. Sterjo fshihej në një zonë në afërsi të varrezave të qytetit, por është larguar prej aty për tu afruar drejt banesës. Ka qenë ky moment që policia e ka pikasur dhe është ndërhyrë menjëherë për kapjen e tij.

Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes, ndërsa dëshmia e autorit të dyshuar dhe provat e mbledhura pritet të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave dhe motivit të saktë që çoi në krimin e rëndë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:28
Mitropoliti Anastas reagon pas vrasjes në Korçë: Kur një i ri vret një të ri, shoqëria qan për të dy

1786264283_mitropolitianastas.jpeg

Pas vrasjes së 21-vjeçarit Johan Zuko, ka reaguar edhe Mitropoliti Anastas. Përmes një mesazhi, ai dënon ashpër dhunën dhe marrjen e jetës së një njeriu, duke theksuar se asnjë konflikt apo zemërim nuk mund të justifikojë një akt të tillë.

Jeta njerëzore është dhuratë e shenjtë e Perëndisë dhe askush nuk ka të drejtë ta shuajë atë. Asnjë konflikt, asnjë zemërim dhe asnjë arsye nuk mund ta justifikojë veprimin që merr jetën e një njeriu”, shprehet Mitropoliti Anastas.

Në reagimin e tij, ai ndalet veçanërisht te fakti se në ngjarje është përfshirë një i ri, duke përcjellë një mesazh kundër dhunës mes të rinjve.

Kur një i ri vret një të ri, shoqëria qan për të dy”, thuhet në mesazhin e Mitropolitit Anastas.