Një ngjarje e rëndë është zbardhur në Durrës, ku një 59-vjeçar që fillimisht u dyshua se kishte humbur jetën për shkaqe natyrale, rezulton të jetë viktimë e dhunës pas një konflikti. Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar, 42-vjeçarin Gentian Kraja, ndërsa viktima është Sajmir Markja.

Sipas hetimeve, 42-vjeçari e ka goditur me grushte 59-vjeçarin pas një sherri për motive të dobëta, si pasojë Markja ka humbur ndjenjat, ka rënë në asfalt dhe më pas ka humbur jetën.

Njoftimi i policisë

U dyshua se humbi jetën për shkaqe natyrale, pas kryerjes së veprimeve hetimore, Policia zbardh ngjarjen. Vihet në pranga një 42-vjeçar, i dyshuar si autor për vrasje nga pakujdesia. 42-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte 59-vjeçarin, i cili ka humbur ndjenjat duke rënë në asfalt, ku më pas ka ndërruar jetë.

Specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në dyshimet e arsyeshme të krijuara pas humbjes së jetës së 59-vjeçarit, shtetasit S.M., ku paraprakisht u dyshua se humbi jetën për shkak të arrestit kardiak, vijuan veprimet për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës.

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi G.K., 42 vjeç, më datë 13.04.2026, në lagjen nr. 18, Durrës, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin S.M., 59 vjeç, dhe më pas e ka goditur me grushte, si pasojë shtetasi S.M. ka humbur ndjenjat, ka rënë në asfalt dhe më pas ka humbur jetën.

Fillimisht u raportua se ky shtetas ka humbur jetën për shkaqe natyrale, por pas dyshimeve të krijuara dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, nën drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ky shtetas nuk ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.

Në vijim të veprimeve, shtetasi G.K., 42 vjeç, banues në lagjen nr. 18, Durrës, u ndalua për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë