Me 77 vota pro miratohet buxheti 2022! PS voton kundër amendamenteve të Erion Braçes për paketën fiskale, vetëm 8 deputetë pro

TIRANË- Propozimet për paketën fiskale të të vetmit zë opozitar brenda qeverisë, ish-zëvendëskryeministrit Erion Braçe nuk gjetën mbështetje as nga vetë socialistët sot në Kuvend. Amendamentet e tij të dorëzuara me disa ndryshime në paketën fiskale morën vetëm 8 vota pro e ndërsa mazhoranca ka pranuar vetëm mendimin e Taulant Ballës për shtimin e fondit prej 60 milionë lekësh për KPA-në.

Edhe propozimet e tjera të mbërritura nga Monika Kryemadhi dhe Erisa Xhixho, Petrit Vasili nga LSI si edhe Alfred Rushaj dhe Jorida Tabaku nga PD u hodhën poshtë. Nga ‘Foltorja’ Braçe tha se me këtë paketë të prezantuar nga qeveria është goditur më i dobëti duke kërkuar të hiqet favorizimi TSVH-së për hotelet me 5 yje, pasi sipas tij mjafton favori që iu është bërë me lejimin e kazinove.

'Unë kam paraqitur mbi 10 amendamente, do t'i prezanton një për një. Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, kam kërkuar fillimin  shkurtimit të listës së përjashtimit të listës fiskale, do të doja që në ligjin për TVSH të propozoja heqjen e këtyre dy përjashtimeve: Heqjen e shkallës së reduktuar prej 6% tatimit mbi vlerën e shtuar  për të gjitha furnizimet në hotelet me 5 yje. Çdo furnizim brenda këtyre hoteleve, paguajnë vetëm 6% TVSH në dallim nga çdo konsumator tjetër, përfshirë edhe atë familjar duke nisur që nga çmimi i bukës.'- tha Braçen.

Ndërkohë, Kuvendi ka miratuar me shumicën e votave, 77 pro dhe 46 kundër edhe projektbuxhetin e 2022. Projektbuxheti i vitit 2022, parashikon mbledhjen e 536.8 miliardë lekëve dhe shpenzime në vlerën e 637.6 miliardë lekëve, por diskutimet në Kuvend nuk kaluan pa akuza nga opozita.

“Buxheti ka disa kryefjalë, e para paketa sociale e mbështetjes së familjes dhe qytetarëve në nevojë. Ky buxhet ndihmon në injektimin serioz ekonomik drejt sektorëve të duhur”, tha Ahmetaj.

“Mbështet të gjitha shtresat në nevojë, mbështet investimet dhe mbështet rritjen ekonomike për vitet në vijim”, tha Ibrahimaj.

“Buxheti më i keq në histori”, tha ndër të tjera Tabaku.

Projektbuxheti parashikon rritje të pagesës së papunësisë, dyfishimin e ndihmës ekonomike për 15 mijë familje në vend si dhe trefishimin e ndihmës për familjet në nevojë me 3 fëmijë. Po ashtu do të rriten pagat me 6% për bluzat e bardha dhe arsimtarët, rritje me 7% për pagat e Gardës së Republikës, si dhe rritje me 30% për personelin e forcave të armatosura. Sa i takon pagës minimale ajo do të arrijë në 32 mijë lekë brenda 2022, ndërkohë që për pensionet do të ketë vetëm indeksim sa vlera e inflacionit si dhe do të jepet bonus 5 mijë lekë në fundvit.

Ndërsa sa i takon paketës fiskale, me votat e mazhorancës u miratuan 4 projektligjet, dhe ndryshimet kryesore ishin tek bujqësia, ku u hoq rimbursimi për fermerët dhe u vendos taksë 10% për inputet. U ndryshua taksimi progresiv mbi pagat, të cilat deri në 40 mijë lekë nuk do të paguajnë tatim, pagat nga 50-200 mijë lekë do paguajnë 13% dhe pagat mbi 200 mijë lekë do të paguajnë 23%. I treti i miratuar është projektligji për akcizat, ku u vendos rritje e akcizës për cigaret, apo vendosja e taksës 6 lekë për çdo litër gaz nga korriku i 2022. Projektligji i fundit i miratuar ishte për taksat kombëtare ku do vendoset taksë 40 lekë për litër për karburantin me të cilin furnizohen jahtet, si dhe taksë për qumështin pluhur dhe nën produktet e tij për të gjitha kompanitë që nuk e reflektojnë në etiketën e prodhimeve të tyre. e importojnë dhe nuk e reflektojnë në etiketat e produkteve që prodhojnë.

Amendamentet e Erion Braçes që u hodhën poshtë
-Barazim i TVSH-së 20% në bujqësi
- Taksimi i birrës dhe i pijeve alkoolike
- 0% TVSH për inputet bujqësore
- Taksim i qumështit pluhur për të gjithë importuesit
- Taksim i Vajit të palmës 150 lekë /kg
- Heqja e favorizimit të TVSH-së për hotelet me 5 yje
- Heqja e favorizimit të TVSH-së për brande ndërkombëtare
- TVSH për furnizimin me tokë për ndërtimet në zonat rezidenciale dhe bregdet

VIDEO-1 minute heshtje per viktimat ne Bullgari

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:49
Kuvendi rrëzoi amendamentin e PD-së për uljen e çmimeve, Tabaku: Buxheti i miratuar sot formalizoi kapjen e shtetit, ligj klientelist

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pasi Kuvendi rrëzoi propozimin e PD-së për uljen e TVSH-në për ushqimet nga 20% në 6%. Sipas Tabakut, buxheti i miratuar sot formalizoi kapjen e shtetit.

"Fatkeqësisht, sot qeveria refuzoi nismën e PD për të ulur TVSH-në për ushqimet nga 20% në 6%. Në një situatë të paprecendentë të rritjes së çmimeve, kur çdo qeveri po merr masa për të mbrojtur qytetarët dhe shtresat në nevojë, qeveria Rama refuzoi sot të miratojë masa nxitëse për konsumin dhe për familjet në nevojë.

659 mijë individë sot janë në minimumin e jetesës. 40% e buxhetit familjar sot shkon për mbijetesë dhe ushqim, por qeveria rrëzoi nismën tonë per uljen e çmimeve, rriti taksat për fermerët dhe uli kompensimin!

Buxheti i miratuar sot formalizoi kapjen e shtetit, ligjet me porosi për klientët e qeverisë,

Ulet taksa e karburantit për jahtet

Hiqet taksa  për qumështin pluhur

Çfarë parashikon qeveria për qytetarët e zakonshëm dhe fermerët vitin e ardhshëm? Vetëm rritje çmimesh.

Rritjen e TVSH-së në bujqësi, që do të sjellë rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Rritjen e taksës për gazin, që do të shtrenjtojë koston e jetesës për shqiptarët.

Fatkeqësi që përpara së të mbrojë shqiptarët me nisma si e jona për uljen e çmimeve, Edi Rama voton për të mbojtur interesat financiarë të një grushti njerëzish", shkruan Tabaku.

Ora 16:25
PS voton kundër amendamentit të Erion Braçes për paketën fiskale

 

Rrëzohet amendamenti i Braçes dhe Jorida Tabakut për paketën fiskale. Mësohet se vetëm 8 deputetë kanë votuar pro.

Ora 13:50
Kritikat për paketën fiskale, Kreu i Grupit Parlamentar të PS: 6% i famshëm ishte kthyer në subvencion për grumbulluesit, do ja çojmë direkt fermerit

 

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur kritikave të PD-së në lidhje me paketën fiskale dhe akuzat se po goditet sektori i bujqësisë, Sipas Ballës, gjatë qeverisjes së PS është dyfishuar toka e mbjellë, teksa thekson se deri në fund të këtij mandati, eksportet do të kenë arritur në vlerën e 1 mld dollarë. Për heqjen e kompensimit 6% të TVSH-së për fermerët, Balla thotë se ishte kthyer në subvencion për grumbulluesit, ndërsa tashmë do t'i shkojë direkt fermerit.

"Unë jam një nga deputetët në këtë sallë që i ble vetë edhe domatet, shkoj dhe te kasapi për të furnizuar familjen ime me ushqim. Bujqësia matet me sa hektar tokë mbillej në vitin 20133, 120 hektarë dhe sot janë 255 mijë hektarë, pak më shumë se dyfishi i asaj në vitin 2013. Duhet të jeni shumë të kujdesshëm të hyni në një debat me PS për bujqësinë. PS ka sot të garantuara nën ujë, në kuptimin e furnizimit me ujitje apo kullim 230 mijë hektarë, nga 255 mijë hektarë tokë e mbjellë. Gjatë diskutimeve t buxhetit kemi patur shumë debate mes nesh për çështjen e 6% të famshëm që i ishte ndryshuar forma rrugës, ishte kthyer në subvencion për grumbulluesit, nuk shkonte te fermeri, ishte formë rimbursimi e paligjshme, është mbajtur nga grumbulluesi. Ne do tja çojmë direkt fermerit sot kemi rënë dakord me një pjesë të protestuesve që 6% përkthehet në vlerë monetare 750 mln lekë, këto do shkojnë subvencion te fermeri. 9 mln dollarshi, 10% i tvsh së imputeve bujqësore, do shkojë direkt përsëri te fermeri. Është e padrejtë dhe jo korrekte ajo që bëri Basha. Gjithçka nga shuma prej 16.5 mln dollarë, do t'i shkojë direkt atij që punon tokën. Në fund të këtij mandati do kemi arritur vlerën 1 mld dollarë eksporte", tha Balla.

Ora 13:17
Basha: Buxheti i pushtetarëve , jo qytetarëve! I varen mëlçitë në qafë Ilir Beqajt?

Teksa Lulzim Basha e konsideroi buxhetin 2022 të pushtetarëve dhe jo qytetarëve, hodhi akuza edhe nga Ilir Beqajt, lidhur me emërimin e tij në krye të agjencisë të Donacioneve që do të koordinojë donacionet e aleatëve të vendit. Basha tha se ujkut nuk i varen mëlçitë në qafë dhe këtë gjë bënë me Beqajn.

“Ky nuk është buxheti i qytetarëve por i pushtetarëve e të cilin kenë ngritur një model putinist që bazohet  mbi kontrollin që nuk prodhon mirëqenie. Keni marrë borxh më shumë se të gjitha qeveritë e marra së bashku, sërish nuk keni arritur të prodhimin mirëqenie, po plakni shoqërinë me shpejtësi marramendëse, vendi është shpopulluar, mendjen e keni vetëm te PPP.  I keni varur mëlçitë në qafe ujkut, ia varët Ilir beqajt, të Check Up-it dhe PPP-ve”, tha Basha

Dje u konfirmua se Ilir Beqaj u vendos në krye të Agjencisë së Donatorëve, e cila do të koordinojë fondet dhe donacioneve që i vijnë Shqipërisë nga aleatët.  

Ora 13:14
Basha: Buxheti për bujqësinë, më i ulëti, po godisni prodhimin vendas! Rama bën 'teatër' me fermerët

 

'Teatër që të ngjall krupën' e ka quajtur kreu i PD-së, Lulzim Basha takimin e kryeministrit Edi Rama me fermerët, të cilët protestuan sot para Kuvendit kundër paketës së re fiskale. Sipas Bashës, fermerët protestojnë me të drejtë, pasi politikat e reja fiskale të qeverisë po i çojnë ata drejt falimentimit. Basha tha se buxheti për bujqësinë është më i ulëti dhe se po goditet prodhimi vendas e po favorizohen 'oligarkët e eksporteve'

"Psudo-maxhoranca bëhet gati të votojë symbyllur mënyrën si do shpenzohen taksat e shqiptarëve, përfaqësuesit e fermerëve që përfaqësojnë 40% të punësuarve në Shqipëri kanë harxhuar sërish para për të udhëtuar drejt Tiranës vetëm që tju dëgjohet zëri, që mos ju shkelet sakrifica. I japin këtij vendi 20% të prodhimit të brendshëm bruto, kjo tregon çfarë peshe ka bujqësia në vendin tonë dhe për këtë duhet të dëgjohen para se të ngrihen kartonët. Janë njerëz që vetëm japin dhe në këmbim nuk marrin asgjë. Arkat e shtetit që ata i mbushin me taksat që paguajnë, ky kryeministër dhe ministrat e tij i zbrazin pa teklif me të dyja duart. I ofendoni, si me teatrin e paradites që ngjall krupë. Protestojnë sepse ndryshe nga sa përrallisni, buxheti për bujqësinë do të jetë edhe më i ulët se vitin e kaluar. Do të përballen me rritjen shtesë të 10% të çmimit, protestojnë sepse në vend të mbështesni prodhimin vendas, po e godisni në të gjitha hallkat duke favorizuar oligarkët e eksporteve. Ju nuk keni konsultuar askënd prej tyre për këto masa që po e shkatërrojnë bujqësinë", tha Basha.

Ora 13:02
Open Balkan/ Shehu: Projekt i bërë në zyrat e Vuçiç, fokusohuni tek integrimi! Po çorodisni ndërkombëtarët! PS: E kthyem diplomacinë në histori suksesi

Gjatë diskutimit në Kuvend, deputeti i PD-së Tritan Shehu ka kërkuar nga qeveria që të fokusohet në integrimin e vendit në BE dhe jo të Open Balkan, një projekt që sipas tyre ka dalë nga zyrat e Vuçiç dhe nuk ka mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Për Ballkanin e Hapur nuk ka sinjale mbështetëse nga Gjermania, SHBA ka kërkuar qartë pjesëmarrjen e 6 vendeve ndryshe nuk ka funksion. Ballkani i Hapur është shfaqje propagandistike e Beogradit. Nuk mund të hymë në këto skenarë me të ardhmen serbe, që një këmbë e gjysmë e ka në Moskë. Fokusi ynë integrimi në BE. Të përgatitemi për realizimin e projekteve  Evropiane në shërbim të vendit dhe Rajonit” tha Shehu.

Kjo nuk u pranua nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ku tha se qeveria arriti të kthejë diplomacinë shqiptare në histori suksesi dhe se Open Balkan nuk është nismë e PS-së, por vijim i procesit të Berlinit.

“Ja kemi dal ta kthejmë diplomacinë Shqiptare në histori suksesi. Na pret një vit i jashtëzakonshëm në aspekt diplomatik. Në prioritet e politikës së jashtme Shqipëria është e besueshme. Akuzat për histori me komplote janë të papranueshme nga ju.  Open Balkan nuk është nismë e PS-së” tha Xhaçka

Por Shehu tha se ky projekt ka dalë nga zyrat e Vuçiç dhe bie ndesh me interesat e Kosovës dhe integrimit në BE.

“Është një projekt i bërë në zyrat e Vuçiç dhe jo të PS, këtu keni të drejtë. Ballkani i Hapur bie ndesh me interesat e Kosovës dhe integrimit në BE. Ju po fusni në një impakt negativ të gjithë Ballkanin dhe po çorientoni edhe partnerët tanë”, tha Shehu.

Ora 12:54
Fushata kundër dhunës ndaj grave, Ministrja e Shëndetësisë: Me buxhetin e 2022 do të rrisim mbështetjen për gratë e dhunuara! Duhet të forcojmë zinxhirin e solidaritetit

Nis sot fushata kundër dhunës ndaj grave, që pritet të zgjasë 16 ditë, ndërsa nga foltorja e parlamentit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu premtoi rritje të mbështetjes nga grave të dhunuara me buxhetin e 2022. Sipas Manastirliut, janë 17 qytetarë që kanë rënë viktima të dhunës në familje këtë vit, 12 prej të cilave gra, teksa thekson se dhuna është kambanë alarmi për të çuar në një nivel tjetër fushatën kombëtare kundër dhunës. Ministrja vë theksin edhe te nevoja për forcimin e zinxhirit të solidaritetit.

"Dhuna në familje i ka marrë jetën 17 qytetarëve këtë vit, 12 prej të cilëve janë gra. Dhuna është kambanë alarmi për të çuar në një nivel më të ri fushatën kombëtare kundër dhunës. Çështjet e barazisë gjinore dhe dhunës ndaj grave nuk mund ti trajtojmë të veçuara. Abuzimi dhe dhuna fizike, emocionale apo ajo seksuale janë krime ekstreme dhe duhet të marrin vendimin e merituar por fokusi duhet të jetë parandalimi. Parandalimi fillon me edukimin. Arsimi dhe fuqizimi ekonomik i gruas është thelbësor. Në këto 10 mijë, rreth 4 mijë denoncime janë referuar në Policinë e Shtetit. Gjatë këtyre viteve kemi forcuar vendosjen e masave ndëshkuese, masat dhe instrumentet mbrojtëse për përmasa ndaj dhunës. 1200 gra e fëmijë kanë marrë shërbime nga fondet e mbështetura. Me buxhetin 2022 rrisim mbështetjen për gratë e dhunuara. Sa i përket shërbimeve sociale në territor, do të jenë të dedikuara rreth 323 milionë lekë. Do të doja të forcojmë zinxhirin e solidaritetit. Të jetosh një jetë pa dhunë është e mundur vetëm nëse e denoncon atë, nëse nuk e fal dhunuesin dhe zgjedh të jesh e lirë. Të jemi bashkë me gratë e Aleancës së grave për të bërë të mundur që të luftojnë me këto fenomene", tha ajo.

 

Ora 12:11
Spaho në mbështetje të amendamenteve të Braçes: T'i votojmë, propozimet e qeverisë do ta fusin bujqësinë në kolaps

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka kërkuar votimin e  amendamenteve të prezantuar anë Kuvend nga Erion Braçe për paketën e re fiskale. Sipas Spahos, me propozimet e qeverisë, bujqësia mund të futet në kolaps.

"Të votojmë dy amendamente e z.Braçe për sektorin e bujqësisë. Do ta fusim bujqësinë në kolaps me këto dy propozime të qeverisë për politikat fiskale", tha Spaho.

Ora 11:57
Leskaj sfidon Braçen: Jemi dakord me propozimet e ish-kryetarit simpatik të Komisionit të Ekonomisë, e ftojmë mos të votojë paketën fiskale

Deputeti i Partisë Demokratike Bujar Leskaj, ka mbështetur propozimet e deputetit socialist Erion Braçe dhe e sfidoi atë që mos ta votojë këtë paketë fiskale e propozuar nga qeveria socialiste.

'Një replikë miqësore me ish-kryetarin simpatik të i të Ekonomisë, ish-zëvendës kryeministrin jo simpatik të sektit Rama, zotin Erion Braçe. I dëgjuam me vëmendje, ne i kemi mbështetur dhe do ju mbështesim propozimet tuaja edhe në parim. Sa herë të keni propozime konstruktive do ju mbështesim se ju i tillë jeni. Ju jeni i ndërgjegjshëm se në këto propozime tuaja mazhoranca nuk ju mbështet dhe këto vendime merren nga kjo qeveri. ne dhe ju thjeshtë kalojmë dhe plotësojmë butaforinë. Por meqë ty nuk ti mbështet grupi juaj, ju ftoj juve Erion të mos e votoni këtë paketë fiskale. kjo do jetë dëshmia e atyre fjalëve dhe mendimeve konstruktive që ju keni.'- tha Leskaj.

Ora 11:55
‘Paketa fiskale godet më të dobëtin’, Braçe bën propozimet: Hiqni favorizimet tek hotelet me 5 yje, tek birra, ndërtimet në bregdet dhe taksoni pijet alkoolike

 

Ashtu siç e kishte paralajmëruar deputeti i PS-së Erion Braçe ka prezantuar një sërë amendamentesh në Kuvend, që sipas tij duhet të përfshihen në paketën e re fiskale. Duke thënë se me këtë paketë të prezantuar nga qeveria është goditur më i dobëti, Braçe ka kërkuar të hiqet favorizimi TSVH-së për hotelet me 5 yje, pasi sipas tij mjafton favori që ju kemi bërë me lejimin e kazinove. 

"Unë kam paraqitur mbi 10 amendamente, do t'i prezanton një për një. Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, kam kërkuar fillimin  shkurtimit të listës së përjashtimit të listës fiskale, do të doja që në ligjin për TVSH të propozoja heqjen e këtyre dy përjashtimeve: Heqjen e shkallës së reduktuar prej 6% tatimit mbi vlerën e shtuar  për të gjitha furnizimet në hotelet me 5 yje. Çdo furnizim brenda këtyre hoteleve, paguajnë vetëm 6% TVSH në dallim nga çdo konsumator tjetër, përfshirë edhe atë familjar duke nisur që nga çmimi i bukës. Kjo masë u mor vitet e shkuara për të bërë thithjen e investimeve, por unë mendoj që mjafton një favor, ajo që ne i kemi dhënë të drejtën për të organizuar lojëra fati dhe kazino në ambiente e tyre”, tha Braçe. 

Propozimi tjetër është për të hequr favorin e bërë në sektorin e ndërtimit për zonat rezidenciale dhe në bregdet. Braçe tha se duke vendosur TVSH për furnizimin me tokë dhe për shitjen e parë të ndërtesës ndalohet edhe zaptimi.

“Kam propozuar heqjen e përjashtimit për furnizimin me tokë për qëllime ndërtimi dhe me ndërtesë për të gjitha zonat rezidenciale të ngritura jashtë qyteteve dhe në vijën bregdetare. Sipërmarrësve që operojnë në këtë fushë i është dhënë favori i dhënies së statusit të investitorit strategjik në këto zona, i është bërë dhe favori i dytë që ka kosto për turizmin e po zë territore të mëdha të vijës bregdetare dhe për pjesën më të madhe të muajve është një shtëpi e blerë nga at që kanë pasuri e para. Por toka është e fundme, për të frenuar zaptimin e tokës për të tilla qëllime, natyrisht ja vlen që ne të taksojmë me TVSH qoftë furnizimin me tokë edhe atë me ndërtesë në shitje të parë”, tha ai.

Siç bëri në komisionin e Ekonomisë Braçe ka lexuar relacionin e projektligjit për TVSH në vitin 2014, kur qeveria propozoi barazimin e TVSH për fermerët në shitje dhe blerje 20/20%, kur qeveria thoshte se do të ndihmonte sektorin. Në foltoren e Kuvendit, deputeti i PS-së tha se heqja e kompensimit 6% të TVSH-së dhe taksimi i inputeve do të shkaktoj humbje të mëdha për bujqit. 

"Më e rëndësishmja është skema e TVSH për bujqit, fermerët. Qeveria e bën zero kompensimin e fermerit. Problemi është te bujku dhe grumbulluesi, eksportuesi me zero në TVSH është i përjashtuar nga këto probleme. Me 20% TVSH në shitje, humbja për grumbulluesin është e madhe", shtoi Braçe.

Sipas tij duhen vetëm 2 miliardë lekë për të rimbursuar direkt fermerët për TVSH-në.

“TVSH e inputeve bujqësore, nëse do kishim një treg që funksionon normalisht, çmimet i cakton tregu jo taksa. Por ne në tregun e inputeve bujqësore nuk kemi rregulla, kemi kartelë të 10 kompanive që përcaktojnë çmimet dhe nëse ne vendosim TVSH 10%, do transmetohet te kosto me të cilën bujku do të blejë çdo gjë. Na duhet të çlirojmë tregun nga karteli i këtyre 10 kompanive dhe të shikojmë normën e taksave që mos e rrisim barrën tani pasi barra e taksës mbi bujkun do rrisë kostot e bujkut dhe do ulë fitimin e tij”, tha ish zëvendëskryeministri. 

Pika tjetër ku u ndal Braçe ishte taksimi i pijeve alkoolike, dhe heqja e favorizimeve për sektorin e birrës, pasi sipas tij favorizimet nuk mund të jenë të përjetshme. Po ashtu ai bëri thirrje të taksohet vaji i palmës dhe të mos përjashtohen fabrikat nga taksimi i qumështit pluhur.

“Te ligji për taksën kombëtare, përjashtimi që i është bërë në këtë ligj për fabrikat që përdorim qumështin pluhur, e bën nul qëllimin e mirë të këtij ligji. Sot nuk ka fabrikë në Shqipëri të shkruaj që prodhon qumësht kos me qumësht pluhur. Tregu është i deformuar dhe jo qumësht pluhur, po ai që po përdoret është qumështi i hirrës. Kam propozuar që përjashtimi për fabrikat e mëdha të përpunimit të hiqet dhe t'i nënshtrohen taksës. Siç përdoret qumështi pluhur, përdoret edhe vaji i palmës, kam propozuar një taksë 1500 lekë për litër edhe për vajin e palmës që të trajtohen njësoj dhe të bëhen të padobishëm ekonomikisht për t'u përdorur apo për t'u përzier në produktet e bulmetit”, tha Braçe. 
 

Amandamenti nr 1

Amandamenti nr 2

Amandamenti nr 3

Amandamenti nr 4

Ora 11:20
Leskaj e Rushaj propozojnë rritje të fondit për ish-të përndjekurit, nga 1 miliardë që është të shkoj në 10 miliardë lekë

 

Deputetët e Partisë Demokratike Bujar Leskaj dhe Alfred Rushaj kanë propozuar një rritje fondi për ish-të përndjekurit politikë.

'Detyrimi ynë ndaj të përndjekurve është 51 miliardë lekë, dhe kemi shlyer vetëm 40% të këtij detyrimi. Me këtë ritëm që është ndjekur nga qeveria, ky detyrim shkon për 31 vjet. Kemi të bëjmë me një detyrim ligjor, që e ka zanafillën tek vendimi i shtatorit 1991, kur ju dha pafajësi ish të përndjekurit. Ky është një detyrim yni, është detyrim i qeverisë, i shtetit, i opozitës, dhe nuk është një favor për këtë shtresë. Në këtë faturë janë 10 mijëra vite burg, është një punë diskriminuese që është bërë nga viti 1944-1990.'- tha Leskaj.

Ora 11:17
LSI dërgon 7 amendamente për paketën fiskale në Kuvend, Kryemadhi: Fermerët shqiptarë kërkojnë mbështetje përballë konkurrencës së fortë me vendet e rajonit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka propozuar 7 amendamente për paketën fiskale. Kryemadhi është shprehur se ne e dimë që gjendja e fermerëve është e vështirë dhe konkurrenca që kanë me vendet e rajonit është e madhe ndaj kërkojnë më shumë politika mbështetëse.

“Fermerët shqiptarë janë në një situatë të vështirë, bujqësia është një ndër sektorët më të vështirë dhe konkurrenca duke parë vendet e rajonit është shumë e lartë. Zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin agrikultura. Kryeministri ka bërë një reklamë për mbështetjen e fermerëve por që një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Rritja e TVSH e menjëhershme do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë jo vetëm në rritjen e çmimit të fermerëve por dhe në xhepin e fermerëve. Një nga pikat e tjera është dhe shfuqizimi i pikës C që bën që të gjithë fermerët do të jenë të detyruar të paguajnë më shumë për blerjet që ju duhen për punën e tyre. Një tjetër për tu diskutuar është dhe heqja e TVSh për ato që kanë investime mbi 500 milionë Euro”, ka Kryemadhi.

Amendamenti per disa ndryshime ne projektligjin per nje shtese dhe disa ndryshime ne ligjin 92-2014 per tatimin e vleres se shtuar

Amendamenti per projektligjin per disa ndryshime dhe nje shtese ne ligjin 92-2014 per tatimin mbi vleren e shtuar

Amendamenti per projektligjin per nje shtese dhe disa ndryshime ne ligjin 92-2014 per tatimin mbi vleren e shtuar

Amendamenti per rritjen e buxhetit ne programin e buxhetor te zhvillimit rural te MIN. BUjqesise

Amendamenti per rritjen e mbeshtetjes financiare per rimbursim te barnave per infektuarit COVID-19 (Petrit Vasili)

Amendamenti rritja e pagave te mesuesve ne tabelen Nr1 te Buxhetit ne kodin 11-0920 dhe ne kodin 11-09230 (Monika Kryemadhi)

Amendamenti rritja e shpenzimeve korrente ne tabelen NR.1, Kodi 11-09450dhe ne Kodin 11-09770 me qellim rritjen e granteve ne mesimdhenie dhe ne kerkime shkencore (Monika Kryemadhi)

Ora 11:13
PS amendament për buxhet shtesë për KPA, 60 mln lekë shtesë në shpenzimet korrente

Partia Socialiste ka dorëzuar një amendament për buxhet shtesë për Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

“Në amendamentin që kam depozituar është kërkuar rritja e kapaciteteve për KPA që duan një shtesë në buxhet për të rritur kapacitetet e tyre në burimet njerëzore. 60 milionë lekë shtesë në shpenzimet korrente”, tha Balla.

 

Ora 10:57
PD amendament për uljen e TVSH, ministrja e Financave: Nuk sjell ulje të çmimeve, e provuam vjet me biznesin e vogël dhe çmimet nuk ndryshuan

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se ulja e TVSH nuk do të sjellë ulje të çmimeve të produkteve të shportës.

“Janë 3.2 miliardë lekë që shkojnë për mbështetjen e fermerëve. Aludimet për shpenzimet e luksit nuk qëndrojnë. Investime në rrugë, ujësjellës kanalizime, në turizëm si dhe në IT në shkolla. 3.6% e PBB do të shkoj për sektorin e arsimit. Mbështet të gjitha shtresat në nevojë, mbështet investimet dhe mbështet rritjen ekonomike për vitet në vijim. Përjashtimet nga TVSH-ja nuk janë përkthyer në uljen e çmimeve.Ne hoqëm TVSH-në për biznesin e vogël vjet ndërkohë çmimet nuk u ulën.Përjashtimet në bujqësi nuk kanë dhënë efektin e duhur në uljen e çmimit. për Imputet bujqësore prapw norma do të jetë e reduktuar, pasi është 10% dhe jo 20%”, tha Ibrahimaj.

Ora 10:46
 PD amendament për uljen e TVSH në 6 %, Tabaku: Do ulte çmimet e produkteve të shportës

Partia Demokratike ka çuar amendament për ligjin e TVSH ku kërkon uljen e saj nga 20 % në 6 %, ku deputetja Jorida Tabaku tha se do të përfitonin 659 mijë individë.

“Të nderuar fermerë që keni protestuar me dinjitet, megjithëse sillni propozime kurrë nuk jeni dëgjuar. Unë pas 9 vitesh në këtë parlament e kam të vështirë të ndaj situatën ireale të qeverisë dhe atë që po ndodh sot jashtë. Unë jam këtu për të propozuar një amendament për TVSH-në.120 amendamente ka prezantuar PD në 9 vite. Unë nuk besoj se situata mund të korrigjohet, por duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të shportës, PD gjykoi propozimin për uljen e TVSH-së nga 20 në 6%.PD kërkoi dy muaj më parë interpelancë. Ka një tendencë për rritje çmimesh edhe produktet e tjera, jo vetëm të shportës. Masa për TVSH-në do të kishte ndikim te 659 individë”, tha Tabaku.

Ora 10:43
Buxheti i 2022, zv.kryeministri: Më i madhi në 30 vite, bën ndryshime logjike në funksion të një epoke të re! Kryefjalë infrastruktura, dixhitalizimi dhe mbështetja e familjeve në nevojë

'Më i madhi në 30 vite, që do të bëjë ndryshime logjike në funksion të një epoke të re', kështu e ka konsideruar zv.kryeministri Arben Ahmetaj buxhetin e 2022 që po diskutohet sot në Kuvend. Gjatë fjalës së tij, Ahmetaj iu përgjigj edhe kritikave të opozitës, ku tha se është reflektuar për sugjerimet e tyre, por shton se gjithsesi nuk pret që ky buxhet të votohet nga ata. Sipas Ahmetaj, kryefjala e këtij buxheti do të jetë infrastruktura, dixhitalizimi dhe mbështetja për familjet në nevojë

"Çdo buxhet në 30 apo kusur vite ka të mirat, elementët social, infrastrukturorë apo fiskal që mund të gjykohen nga njëra anë për mirë, nga njëra anë për jo mirë. Shumëkush e di mirë që çdo herë testohemi dhe testohemi në tregun ndërkombëtar në sytë e investitorëve që në genetikë të tyre janë akull të ftohtë, nuk e diskutojnë Shqipërinë  me asnjë emocion, me të vetmin atë të kompanive që e rankojën Shqipërinë në aspektin makroekonomik, institucional dhe ekonomik. Testi kaloi me shumë sukses dhe Shqipëria shënoi rekord, është hera e parë që nxjerrë një Eurobond prej 10 vitesh me kupon 3.5% dhe interes 3.75%. Është e vërtetë që ekonima shqiptare kaloi periudhë jashtëzakonisht të vështirë, tërmeti dhe pandemia llënë të gjitha gërvishtjet afatgjata në fytyrën enjë ekonome, por mënyra si e kemi trajtuar, tregon që kjo maxhorancë ka arritur një maturim në aspektin e konsolidimit fiskal dhe papërgjegjshmëria fiskale është lënë mbrapa. Klasa politike ka fituar maturinë për të mos luajtur me financat publike. Buxheti që kalojmë sot ja vlen të ridiskutohet po me përgjegjshmëri politike e sociale që te qytetarët të transmetojmë atë që është e vërtetë. Buxheti ka disa kryefjalë, e para paketa sociale e mbështetjes së familjes dhe qytetarëve në nevojë. 15 mijë familje që përfitojnë nga ndihma ekonomike, sot i dyfishohet ndihma ekonomike. Jam dakord me debatin e opozits është mjaft apo jo, por mundësitë buxhetore, kur borxhin duhet të fillojmë ta ulim, është ndjeshmëri e lartë sociale. kryefjala tjetër është infrastruktura kritike, blloku kryesor i investimeve publike. Po investohet më shumë sesa merret borxh. 80% borxhi publik patjetër është i lartë, u zgjeruam si 100 vende e kusur, janë 100 vende në glob sot që janë zgjeruar. Edhe Gjermani ka shkuar në 80% të borxhit publik. Ne kemi filluar të ringrihemi, po rritemi me shpejtësi dhe arsyeja është; kujdesi i qeverisë dhe gjithë ajo vibrancë ekonomike që reflektohet në rritjen eksporteve, importeve e konsum. Ky buxhet ndihmon në injektimin serioz ekonomik drejt sektorëve të duhur. Dixhializmi është një nga kryefjalët e këtij buxheti. Po kalojmë në një epokë evolucioni dixhital që i referohet shërbimeve publike për qytetarët dhe sipërmarrjen. Do krijojmë sportele dixhitale në të gjithë Shqipërinë ku çdo qytetarë mund të shkojë aty dhe një punonjës do t'i shërbejë që të marrë shërbime 360 gradë. Buxheti mbështet edhe bujqësinë. Shifrat tregojnë që vëmendja ka funksionuar. Peshkimi ka bërë revolucion, është koha ta mbështesim me investime, që të krijohet flota e peshkimit shqiptar. Edhe kursimet janë rritur. Kur flasim për vlerë të shtuar në ekonomi, po flasim si të rrisim të ardhurat sa më shpejt. Te pjesa e rindërtimit, po mbyllim në krye të një viti maksimumi të gjithë rindërtimin. në shtator të vitit tjetër maksimumi, do t'i kemi mbyllur të gjitha dëmet që tërmeti shkaktoi. Kujdesin me paketën për rindërtimin do ta vazhdojmë, Rindërtimi do të jetë një nga motorët kryesor të furnizimit të rritjes ekonomike pozitivisht. Paketa fiskale, kush fiton më shumë do paguaj më shumë. Taksa progresive, një nga elementë më balancues të mirëmbajtjes të të ardhurave. Kjo do të thotë se nëpërmjet taksës progresive kemi bërë të mundur rritjen reale të të ardhurave, duke i ngarkuar qytetarët me më pak taksa. Do e zerojmë tatimin mbi të ardhurat personale për pagat deri në 400 mijë lekë dhe do e zbusim për ata deri në 150 mijë-200mijë lekë. Patjetër që ka komente e opinione të denja pr t'u dëgjuar e debatuar, besoj që edhe në këtë situatë kemi bërë një buxheti që është më i madhi në 30 vite dhe që ka filluar të bëjë ndryshime logjik enë funksion të një epoke të re. Nuk do i kërkoja opozitës ta votonte, por në respekt të asaj që ju keni mbajtur si qëndrime, shumë vërejtje të tuaja janë reflektuar", tha Ahmetaj.

I.K/SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër