KAVAJE-Gjashtë muaj pas vrasjes lirohet nga qelia ish-shefi i sigurisë së burgut në Durrës Bledar Toçi, njeriu që ekzekutoi me armën e shërbimit Dritan Haxhollin, brenda ambienteve të shtëpisë së Marsida Qatjas, raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta. Gjykata pranoi kërkesën e tij duke ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje për shkak se ndryshoi edhe akuzën për Toçin.

Pas ngjarjes ish-shefi i sigurisë së burgut fillimisht u akuzua për “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “vrasje në kapërcim të vetëmbrojtjes së nevojshme”, por pas dëshmive dhe hetimeve gjyqtari Genti Dakolli pranoi kërkesën për të ndryshuar akuzën nga “vrasje në kapërcim të vetëmbrojtjes së nevojshme” në "vrasje për vetëmbrojtje". Për këtë arsye, në fund gjyqtari ka pranuar edhe kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje dy herë në muaj. Në vendimin e gjyqtarit për ndryshimin e masës së sigurisë, sipas gazetarit të Report Tv në Durrës, Artur Korriku ka ndikuar edhe situata nga COVID-19.

Lidhur me ngjarjen i pandehur u mor edhe vëllai i Bledar Toçit, Bernard Toçi, i cili akuzohet për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti 7 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë. Mes personave të marrë të pandehur në këtë dosje ishte edhe vetë Marsida Qatja, nëna e dy fëmijëve të mitur ndaj të cilës u ngrit akuza e “Vënies në dispozicion të ambienteve për konsumim të lëndëve narkotike”. Ngjarja e rëndë ndodhi në 10 tetor 2019 në qytetin e Kavajës, ku brenda në banesën e Marsida Qatjas, ishin grumbulluar disa persona mes të cilëve dhe Bledar Toçi, të cilët po konsumonin kokainë.

Në këtë moment në ambientet e jashtme të apartamentit të Qatjas në katin e parë, u shfaq Dritan Haxholli, i cili kërkonte të takonte me çdo kusht Marsida Qatjan, me të cilën kishte pasuar marrëdhënie intime. Por me vete Haxholli kishte dhe një automatik kallashnikov dhe pasi ka parë Bledar Toçin brenda në banesë ka hapur zjarr në drejtim të tij dy herë, ku një nga plumbat e ka kapur në qafë Toçin. Ky i fundit që kishte me vete dhe armën e shërbimit, një pistoletë tip “Glock” qëlloi plot 16 herë, duke lënë të vdekur brenda në banesën e Marsida Qatjas, Dritan Haxhollin.