VLORË- Dy javë pasi Gerti Selimaj u ekstradua nga Italia në Shqipëri, si përson i shpallur në kërkim për vrasjen e dy vellezërve Beqir dhe Elmaz Hasho, gjykata e Vlorës e nxori nga qelia dhe e vendosi në arrest shtëpie.

Ky vendim u cilësua skandaloz për familjarët e viktimave, të cilët janë të bindur se Selimaj është vrasësi i vëllezërve Hasho 23 vite më parë. Ata kanë apeluar vendimin e gjykatës së shkallës së parë, dhe në të njejtën kohë u kanë nisur letra institucioneve të drejtësisë

 ‘Si mund të lihet i lirë një vrasës që ka kryer vrasje të dyfishtë. Kemi 20 vjet që po presim këtë drejtësi dhe gjykata e lë në arrest shtëpia. Duhet ta kthej shteti në burg.’- tha djali i Elmaz Hashos, Xhuliano.

'Unë jam gruaja e Beqir Hashos. Besoja tek drejtësia dhe drejtësisë shqiptare i kërkova që të zbardhet çështja. Mos na vrisni për herë të dytë’.- tha gruaja e Beqir Hashos, Mimoza Hasho.

Por pse gjyqtarja Vjola Canaj, së cilës i ra shorti për rivlerësimin e masës së sigurisë për 47 vjecarin Greti Selimaj, vendosi të ndryshojë masën nga arrest më burg në arrest shtëpie

Në vendimin e datës 28 mars 2022 të Gjykata e Shkallës së Parë shprehet se i arrestuari nuk është marrë në pyetje për tre ditë më radhë, ku sipas ligjit prokurori Flora Çela ka shkelur afatet ligjore dhe për këtë arsye i akuzuari duhet të lihet menjëherë i lirë.

Më ketë argument, gjyqtarja Vjola Canaj në fund të përmbledhjes vendosi duke u mbështetur në nenet 228, 229 dhe 248 të Kodit të Procedurës Penale, shuarjen e masës së sigurisë ‘arrest me burg, caktimin e një masë të re sigurie “arrest në shtëpi, dhe ka ngarkuar organet kompetente për mbikqyrjen. Gjykata i ka lënë mundësi prokurorisë të vazhdojë procedurat me të dyshuarin për vrasjen e dy vëllezerve Hasho. 

47-vjeçari Gerti Selimaj u ekstradua më 12 Mars të këtij viti nga Italia, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve Beqir dhe Elmaz Hasho në vitin 1998. 

Selimaj u arrestua më 12 mars në Itali, ku u kap në një apartament në zonën e Martina Franca për llogari të drejtësisë shqiptare, 23 vite pas vrasjes së dy vëllezërve në Vlorë, Beqir dhe Elmaz Hashon. 23 vite pas ngjarjes autoritet shqiptare zbardhën vrasjen e dy vëllezërve Beqir dhe Elmaz Hasho, ndërsa Selimaj u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë caktoi masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Si ndodhi ngjarja? Një i afërm i Gerti Selimajt atëherë mbeti i plagosur në vitin 1998 në Vlorë. Dy vëllezërit Hasho, Beqir dhe Elmaz Hasho, e dërguan në spital, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten edhe sot enigmatike. I afërmi i të plagosurit, Gerti Selimaj iu kërkoi llogari vëllezërve mbi një armë që ishte zhdukur nga vendngjarja. Mes tyre ndodhi edhe një përplasje në spital, konflikt i cili pak ditë më vonë, agravoi me vrasjen e 2 vëllezërve.

Pjesë nga vendimi