Vrau ish-gruan gjyqtare, dënohet me burgim të përjetshëm, Fadil Kasemi: Jam penduar për krimin

Fadil Kasemi, vrasësi i ish-bashkëshortes së tij gjyqtare, Fildes Hafizi, është dënuar këtë të enjte nga Gjykata e Krimeve të Rënda me dënim të përjetshëm.

Ndonëse avokati Ilia Ilia ka kërkuar lehtësimin e masës së dënimit, duke kërkuar nga gjykata një dënim me 25 vite burg, Fadil Kasemi duket se do të kryejë një burgim të përjetshëm për krimin e ndodhur më 31 gusht të 2017-ës. 

Vet ai është shprehur gjatë seancës gjyqësore se është penduar për krimin, ndërkohë që, ka kërkuar të merren parasysh edhe motivet që e kanë shtyrë atë drejt vrasjes së ish-bashkëshortes, si ndalimi për të takuar fëmijët, tradhtia bashkëshortore dhe investimet e bëra karshi saj. 

Gjyqi fillimisht ishte përcaktuar më datë 8 janar por u zhvendos për shkak se avokati mbrojtës i Fadil Kasemit, nuk kishte përgatitur konkluzionet përfundimtare për të bërë mbrojtjen e Kasemit. Gjykata mori në administrim përpara 9 ditëve provat shkresore për gjendjen psikike të Fadil Kasemit dhe po ashtu edhe foto ku demonstroheshin marrëdhëniet familjare. 

 

Pretenca për Fadil Kasemin u dha më datë 27 dhjetor, pasi organi i akuzës kërkoi burgim të përjetshëm për Kasemin. Kasemi vendos në hetim pasi në fund të muajit gusht qëlloi tre herë me pistoletë gjyqtaren Fildes Hafizi, teksa po dilte nga një qendër estetike në rrugën "Hoxha Tahsim".

Çështja e zgjatur prej më shumë se një viti e gjysmë përfundoi pas 24 seancash, ku nuk munguan mbi 20 dëshmi, midis të cilave edhe të personit që u kërcënua me armë nga Kasemi që të largohej nga vendi i krimit si edhe të fëmijëve të çiftit. 

Vrasja e gjyqtares zbuloi edhe disa skandale të drejtësisë. Përpara 4 viteve, Kasemi tentoi ta vriste ish-bashkëshorten në Durrës, por e ndaluan fëmijët dhe gjykata në atë kohë e dënoi vetëm për armëmbajtje pa leje dhe plagosje të lehtë, por jo për tentativë vrasje.

a.s./r.k./Shqiptarja.com
Komento