GREQI- Ditën e sotme, nën masa të rrepta sigurie, 25-vjeçari është paraqitur para gjykatës greke, i cili nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes së gazetarëve për motivin e krimit makabër.
Sipas informacioneve, 25-vjeçari pretendon se shkaku i sherrit fatal që përfundoi në vrasje ka qenë një mesazh që i kishte ardhur 19-vjeçares, e cila e kishte hapur atë dhe për shkak të xhelozisë ai e kishte vrarë.
Sipas raportimeve të autoriteteve greke ende nuk dihet se ku e gjeti armën e krimit 25-vjeçari dhe ku shkoi pas vrasjes.
Autoritetet përkatëse po shqyrtojnë me kujdes të gjitha provat që kanë mbledhur në lidhje me vrasjen mizore të 19-vjeçares teksa prokuroria ka ende pikëpyetje në lidhje me ngjarjen.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Greqi, ku xhelozia e ‘sëmurë’ dhe kokaina bënë që banakieri shqiptar Qamil Taja, 25 vjeç, të qëllonte me dy plumba në kokë partneren e tij shqiptare 19-vjeçare, Kristjana Brakaj.
Autori i vrasjes së 19-vjeçares, Qamil Taja, 25 vjeç, ka mbërritur në Gjykatën e Pireut pas orës 10:30 të mëngjesit nën masa të rrepta sigurie, i cili ka qëndruar në zyrën e hetimit për më shumë se 2 orë.
Prokurori e ka akuzuar për vrasje me dashje në gjendje të qetë shpirtërore, ndërsa avokati i 25 vjeçarit në deklarimet e tij ka theksuar se autori është i penduar dhe i dërrmuar nga ngjarja tragjike.
Avokati i autorit, Christos Divanidis, tha se autori ka shprehur pendesën e tij dhe se është i shkatërruar.
“Ai kërkoi dhe iu dha një afat për të kërkuar falje. Është e dhënë që më ka shprehur pendimin. Ai është i shkatërruar. Nuk do të doja të bëja një deklaratë të parakohshme nëse ai kishte përdorur drogë”, tha avokati i autorit, Christos Divanidis.
Sipas informacioneve, pas vrasjes 25-vjeçari është vetëdorëzuar në polici, duke pohuar para efektivëve se ishte xheloz për 19-vjeçaren dhe se kishte përdorur kokainë, para se të merrte armën dhe ta qëllonte dy herë në kokë.
“Kam ardhur të dorëzohem. Unë vrava partneren time. Ajo ka vdekur në shtëpi”, mësohet të ketë autori në polici, sipas informacioneve të Mega.