BERAT - Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë kulturore, që çdo vit pret mbi 500 mijë turistë, u kthye te martën në skenë të përgjakshme.
Një banor i zonës, që fitonte para duke shëtitur turistët me kalë në mënyrë të paligjshme, goditi për vdekje me thikë vizitorin nga Tirana vetëm sepse ky i fundit preku kalin e tij.
Sipas burimeve nga grupi hetimor për Report TV, autori Kristo Mema, 63 vjeç (i njohur edhe me emrin e ndryshuar Kontandin Hoxha), ka treguar se konflikti nisi pas një paralajmërimi që i bëri viktimës.
“I thashë mos e prek kalin se është i acaruar sot dhe mund të reagojë keq, por ai më shau dhe ofendoi. Humba kontrollin, mora thikën që e mbaja në samarin e kalit dhe e godita në gjaknxehtësi,” ka deklaruar Mema në polici.
Ngjarja ndodhi në oborrin e kalasë, në një zonë që aktualisht është në rikonstruksion, në sytë e familjarëve të viktimës dhe turistëve të tjerë.
Burimet bëjnë me dije se 63-vjeçari nuk kishte leje për të shëtitur turistët me kalë kundrejt pagesës, megjithëse këtë aktivitet e ushtronte prej kohësh në kalanë e qytetit-muze.
Sipas familjarëve të Keli Hoxhës, 42 vjeç, me banim në Tiranë dhe origjinë nga Tropoja, konflikti nisi vetëm sepse ai preku kalin me dorë. Ata mohojnë që ta ketë sharë apo ofenduar autorin, duke deklaruar se gjithçka ndodhi papritur, pasi Keli i ishte përgjigjur thjesht: “S’ka asgjë të keqe.”
Hoxha mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë sapo mbërriti në Spitalin e Beratit.
Pas krimit, Mema ka çuar kalin në kasollen e shtëpisë, ka marrë ushqime dhe është fshehur në një nga shpellat e kalasë, në përpjekje për t’i shpëtuar policisë. 63-vjecari u kap disa orë më vonë, i fshehur në “shpellën e memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit.
Hetimet zbuluan se Kristo Mema kishte kryer një tjetër vrasje në vitin 1993, po në Berat, kur kishte goditur fqinjin e tij me thikë pas një zënke për motive banale. Pas asaj ngjarjeje, ai ishte larguar në Greqi për rreth 25 vjet, kishte ndërruar identitetin dhe përdorte emrin Kontandin Hoxha. Për krimin e parë nuk ka vuajtur asnjë ditë burg, pasi dënimi ishte parashkruar me kalimin e viteve.
Komente











Kali ishte mesuar me turiste,po te ishte i acaruar,as doren per t'a perkedhelur nuk ja afron dot te fytyra,jo me te te lere t'i hipesh.I vetmi i acaruar aty ishte vrasesi dhe mbante dhe thike te samari.Per cfare dreqin e mbante thiken?!
Përgjigju