Gjykata e Durrësit konfirmoi sot masën e sigurimit personal "arrest" në burg për Land Puja Deraj, duke lënë kështu në qeli 48-vjeçarin i cili më 21 shkurt vrau me thikë në Kavajë Skerdilajd Isufin.

“Më ofendoi, prandaj e qëllova”. Kështu ka dëshmuar para oficerëve të Krimeve të Rënda autori.Teksa ka deklaruar se shkak për konfliktin ishte bërë një vend parkimi, Puja ka theksuar se situata doli jashtë kontrollit pikërisht kur Skerdilajd Isufi e ka ofenduar.

“Erdhi dhe parkoi makinën para shtëpisë time. Dola dhe i kërkova ta lëvizte makinën, pasi nuk mund të kaloja dot për t’u futur në shtëpi. ‘Nuk dua ta lëviz makinën’, më tha, ‘po ik futu brenda se e di çfarë të bëj, apo jo?!’ Këtu filloi gjithçka. ‘Kush je ti, kush jam unë?!’ Pastaj nisi të shante para familjes time. Nuk durova dot, shkova brenda në shtëpi dhe mora thikën. Kur më pa me thikë në dorë, më sulmoi. Në këtë moment unë e qëllova dy herë në pjesën e gjoksit. E pashë që ra në tokë. Aty më kapi paniku dhe u largova. Sigurisht që në momentin e parë u pendova, por hataja ishte bërë. Nga frika u fsheha deri në momentin që më gjetët. Më vjen shumë keq, nuk doja që të përfundonte kështu, por m’u errësuan sytë dhe nuk e kontrollova dot veten”, – kështu është shprehur ndër të tjera Landi Puja gjatë marrjes në pyetje nga agjentët e krimeve.