BERAT - Gjykata e Beratit ka lënë në burg Kristo Mema (alias Kontandin Oxhaj), i cili dy ditë më parë vrau me thikë vizitorin nga Tirana vetëm sepse ky i fundit preku kalin e tij.

Gjatë zhvillimit të seancës 63-vjeçari ka shprehur pendesë dhe teksa përsëriti sërish se gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi e sipër, pasi autori e kishte ofenduar dhe sharë nga familja. Po ashtu ai u kërkoi falje edhe familjarëve të viktimës.

Prokurori i çështjes, Renato Tosku, ka kërkuar për Memën masën e sigurisë "arrest me burg", për veprën penale "Vrasje",parashikuar nga neni i Kodit Penal.

Ngjarja e rëndë ndodhi në oborrin e kalasë, në një zonë që aktualisht është në rikonstruksion, në sytë e familjarëve të viktimës dhe turistëve të tjerë. Sipas burineve 63-vjeçari nuk kishte leje për të shëtitur turistët me kalë kundrejt pagesës, megjithëse këtë aktivitet e ushtronte prej kohësh në kalanë e qytetit-muze.

Familjarët e Keli Hoxhës, 42 vjeç, me banim në Tiranë dhe origjinë nga Tropoja, thonë se konflikti nisi vetëm sepse ai preku kalin me dorë. Ata mohojnë që ta ketë sharë apo ofenduar autorin, duke deklaruar se gjithçka ndodhi papritur, pasi Keli i ishte përgjigjur thjesht: “S’ka asgjë të keqe.” Hoxha mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë sapo mbërriti në Spitalin e Beratit.

Nga hetimet e kryera Kristo Mema kishte kryer një tjetër vrasje në vitin 1993, po në Berat, kur kishte goditur fqinjin e tij me thikë pas një zënke për motive banale. Pas asaj ngjarjeje, ai ishte larguar në Greqi për rreth 25 vjet, kishte ndërruar identitetin dhe përdorte emrin Kontandin Hoxha. Për krimin e parë nuk ka vuajtur asnjë ditë burg, pasi dënimi ishte parashkruar me kalimin e viteve.